Në orën 19 pjesa më e madhe e vendvotimeve në Maqedoni janë mbyllur. Procesi zgjedhor është zhvilluar i qetë me probleme të vogla, të cilat nuk pritet të kenë asnjë ndikim në rezultat.
Flitet për një pjesëmarrje prej rreth 55% në këto zgjedhje, por ajo çfarë evidentohet është pjesëmarrja më e ulët e shqiptarëve të Maqedonisë, krahasuar me zgjedhjet e qershorit 2008.
Partitë politike shqiptare nuk kanë preferuar ta komentojnë këtë fakt. Por sapo janë mbyllur votimet kanë dhënë dhe rezultatet paraprake që gjithsesi do duhet të konfirmohen zyrtarisht nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor. Ja çfarë thotë Gëzim Ostreni, shefi i shtabit elektoral të BDI-së si dhe Adriatik Ymeri, zëdhënës PDSH-së së Maqedonisë.
“Të gjithë jemi të kënaqur që nuk ka pasur incidente, është zhvilluar mirë. Edhe pse situata me kohën ka qenë e keqe, ka pasur shumë borë, por janë kryer detyrat. Kemi rezultat paraprak, momentalisht kemi fitoren në Bovinë, në Vrapçisht, në Zhelinë, në Osllomi dhe në Zajasë. Ndërsa qendra operative e shtabit zgjedhor vazhdon të mbledhë informacione.”
“Presim nga vëzhguesit tanë që ti konfirmojnë të gjitha incidentet të cilat kanë ndodhur, të gjitha parregullsitë nëpër vendvotime të ndryshme, në komuna të ndryshme në republikën e Maqedonisë. Rezultatet e para që në vijnë nga shtabet tona zgjedhore tregojnë se PDSH-ja fiton në komunën e Tetovës.”
Menada Zaimi: “Komisioni Shtetëror Zgjedhor bën të ditur se nxjerrja e rezultateve do të jetë disi e vështirë për shkak të zhvillimit të dy proceseve paralele, atij për zgjedhjen e kryetarit të ri të shtetit të Maqedonisë mes 7 kandidaturave në konkurrim, mes tyre edhe 3 kandidat shqiptar si dhe për zgjedhjen e drejtuesve të rinj lokal të 84 komunave të Maqedonisë. Megjithatë zyrtarë të Komisionit Shtetëror Zgjedhor shprehen të bindur se menjëherë pas mesnate do të kenë edhe rezultatet paraprake të dy proceseve zgjedhore.
Nga Tetova për televizionin kombëtar Klan informon Menada Zaimi.”/tvklan.al