Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas tre javësh debate, pesë ditësh sharje dhe fyerje, kryeministri Fatos Nano dhe zëvendëskryeministri e Ministri i Jashtëm Ilir Meta, pranuan një rezolutë të propozuar nga sekretari i përgjithshëm Gramoz Ruçi, e cila mban larg sherret dhe përçarjet, të paktën deri në zgjedhjet vendore dhe ato kongresuale të PS.

Gramoz Ruçi:- “Të rritet më tej angazhimi politik e qeverisës, i të gjitha strukturave politike, për të qenë ato më të përgjegjshme, më aktive, më konstruktive dhe të koordinuara në shërbim të fitores në zgjedhjet e ardhshme të pushtetit vendor. Me preokupacionin dhe përgjegjësinë për një qeverisje më të mirë dhe më efektive në shërbim të qytetarëve, kryesia e PS, nxit qeverinë për më shumë rezultate, në sektorët si ato të financave publike, të energjisë, të infrastrukturës dhe në disa aspekte të luftës kundër krimit të organizuar, kudo ku ai vepron, si dhe korrupsionit në strukturat e administratës publike, në nivel qendror e lokal”.

Mbledhja nisi të hënën në orën 18 dhe përfundoi të martën në 2:12 minuta, duke arritur pikën më të lartë, me kërkesën e zotit Nano, për dorëheqje të Ministrit të Jashtëm. Kjo nuk u pranua nga zoti Meta dha kryesia, të paktën sipas anëtarit të saj Namik Dokle.

Namik Dokle:- “Nano kërkoi dorëheqjen e Metës, por kryesia nuk e pranoi në asnjë mënyrë”.

Kryeministri kërkoi dorëheqjen me argumentin, se zoti Meta nuk respektonte hierarkinë e institucioneve dhe i lufton ato edhe pse është pjesë e qeverisë. Zoti Meta kishte lëshuar akuza për mosqeverisje të drejtë, mosfunksionim të partisë dhe qeverisë, preferenca personale të zotit Nano, moskryerje të reformave dhe shpifje të zotit Nano në adresë të tij.

Ilir Meta:- “Unë dua t’ju sigurojë të gjithëve dhe mbi të gjitha taksapaguesit shqiptarë, se çdo shpifje do t’i përgjigjem kudo, në forumet e PS, në opinionin publik, në çdo forum, në çdo institucion dhe në çdo fshatë, pasi ata duhet ta dinë që kanë pasur një kryeministër të përgjegjshëm, i cili jo vetëm zyrën e tij, e cila tani është e zotit Nano, por edhe çdo investim tjetër, e ka bërë me përgjegjësi të plotë dhe në fund të fundit këto kanë qenë investimet e fundit që janë bërë nga qeveria, sepse investimet më të rëndësishme janë rrugët, janë shkollat janë spitalet që i kanë parë të gjithë. Së fundi dëshirojë t’i bëjë dhe një herë thirrje zotit Nano, të mos përdor më TVSH dhe të mos urdhërojë më ministrat si ushtarë, për të sulmuar zv/kryeministrin dhe ministrin e jashtëm dhe anëtarin e kryesisë së PS, shqetësimet që unë kam ngritur janë parimore, ato nuk janë shpifje”.

Rezoluta e cila pritet t’i kalohet sot për diskutim grupit të ligjvënësve socialistë, mbështet qeverinë e kryeministrit Nano. Kërkon përmirësimin e qeverisjes, përfshi mënyrën e ndryshimet e mundshme të anëtarëve të kabinetit, forcimin e aleancave me partitë e majta, respektimin e hierarkisë institucionale, angazhim të të gjitha strukturave si pjesë kryesore politike për zgjedhjet vendore të Tetorit.

Kryesia me këtë rezolutë kërkon, që të rritet forca goditëse në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe veprimtarive të paligjshme, përmirësimin e punës në sektorët energjetik, të administratës publike, qendrore dhe vendore, si dhe të infrastrukturës./tvklan.al