Akuzat e opozitës se procesi i Vettingut është farsë e i ndikuar politikisht, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj i cilësoi përpjekje dëshpëruese të Partisë Demokratike për të bllokuar Reformën në Drejtësi, për të cilën tha se nuk ka kthim pas.

“Vettingu nuk kapet dot nga askush, nuk përdoret dot nga askush dhe nuk ndalet dot nga askush. Vettingu mbrohet nga sytë e ndërkombëtarëve. Që opozita kërkon me dëshpërim rishikimin, domethënë shkatërrimin e  këtij kuadri ligjor të konsideruar botërisht një revolucion në sistemin e drejtësisë, është përditë e më e qartë. Kthim mbrapa nuk mund të ketë”.

Por në një dalje për mediat nga selia blu, ish ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi  vijoi akuzat në adresë të kryeministrit se po bllokon qëllimisht Reformën në Drejtësi duke kontrolluar procesin e Vettingut.

“Rama po bllokon zbatimin e reformën në drejtësi që ai vetë të mos hetohet”.

Pak ditë më parë Lulzim Basha propozoi një paketë për daljen nga kolapsi që sipas tij e ka futur sistemin e drejtësisë kreu i qeverisë, ku zgjidhja duhet të vinte përmes konsensusit të 22 Korrikut të 2016.

Por ministrja e Drejtësisë hodhi poshtë çdo ndryshim të kuadrit ligjor, duke e cilësuar dëshpëruese dhe përpjekje të demokratëve për të bllokuar amendimet në ligjin e magjistratëve.

Tv Klan