Ndërkombëtarët vlerësojnë se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri kanë qenë të qeta e të rregullta. Kështu shkruajnë dy rrjetet prestigjioze BBC, Euronews si dhe gazeta Uashington Post.
Partia e kryeministrit Sali Berisha kryeson në këto zgjedhje me të paktën 9 % kundër rivalit të tij, Kreut të selisë rozë, Edi Rama, çka i jep atij mundësinë të formojë qeverinë thotë gazeta Uashington Post e cila ka ndjekur nga afër sondazhin “Gani Bobi” në Tv Klan.
Euronews shkruan se në zgjedhjet e sotme nuk u shënua asnjë incident që do të ketë efekt në mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit të votimit, çka tregon se ky proces votimi ka kaluar nën një atmosferë pozitive, ashtu siç kishin kërkuar e kishin shpresuar SHBA e BE.
Zgjedhjet e sotme, të para si faktori kyç që do t’i japë mundësinë Shqipërisë të ecë përpara drejt bllokut 27-anëtarësh janë pasqyruar në mediat më të mëdha botërore, të cilat dukshëm kanë theksuar faktin se sot Shqipëria jepte provimin për integrimin evropian të saj.
Dita e sotme ishte po ashtu mundësia që politika shqiptare të vërtetonte maturinë e saj, duke zhvilluar zgjedhje të lira e të drejta nën vëzhgimin e rreptë të ndërkombëtarëve. Në këto zgjedhje, pjesëmarrja e votuesve ishte rreth 50 %. Procesi i sotëm u vëzhgua nga 5000 vëzhgues vendor e ndërkombëtar./tvklan.al
Gazetare: Bora Sadriaj