Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka zhvilluar një takim me simpatizantë të partisë që drejton dhe qytetarë të Elbasanit. Në fjalën e tij kryerepublikani ka kujtuar dhe një herë sukseset e arritura nga koalicioni i djathtë gjatë kësaj legjislature dhe tha se pas anëtarësimit me të drejta të plota në NATO, në mandatin e dytë Shqipëria do të bëhet dhe pjesë e Bashkimit Evropian.
Fatmir Mediu: “Ne në katër vjet u bashkuam me njëri tjetrin, u bashkuam për të ndryshuar Shqipërinë. U bashkuam sepse besonim që fëmijët tanë, ata të cilët i kemi sjellë në jetë, tu siguronim të ardhmen. U bashkuam me njëri tjetrin sepse besonim në potencialin tonë duke u përkujdesur për prindërit tanë, duke u kujdesur jo vetëm dhe thjeshtë me dashuri për ta, por duke u kujdesur që ata të gëzojnë të sotmen dhe të nesërmen ne mund të ndërtojmë të ardhmen e madhe të Shqipërisë që e duam të gjithë.”
Gjate këtij takimi, zoti Mediu është ndalur edhe tek çështja e pronës, ku ka garantuar se Partia Republikane do të vazhdoj të përfaqësoje ish-pronarët, duke theksuar se e drejta e pronës është pike kyçe për rrugën e mëtejshme të zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë./tvklan.al