Niveli aktual i ujit në liqenin e Bovillës është garanci për një furnizim të qëndrueshëm me ujë për kryeqytetin edhe gjatë verës në vijim. Burime nga Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës pohojnë se situata e kënaqshme hidrike në këtë rezervuar, shto këtu edhe masat e tjera menaxhuese, priten të sjellin përmirësim të ndjeshëm me ujë për banorët e kryeqytetit.
Luan Peti: “Liqeni i Bovillës që është dhe burimi kryesor, është në nivelet maksimale të prurjeve dhe është një garanci për furnizimin me ujë për Tiranën për vitin 2010. Aktualisht furnizimi me ujë është tre herë në ditë, flasim një furnizim mesatar, por me matjen që kemi marrë ne do të shkojmë duke e përmirësuar ose duke e shtuar orarin e furnizimin me ujë drejt qytetarit. Jemi të sigurt që me masat që po marrim dhe me investimet që kemi planifikuar për vitin 2010, ky orar do vijë duke u shtuar drejt furnizimit 24 orë”.
Në liqenin e Bovillës në periferi të Tiranës po punohet për mbajtën e kuotave të ujit brenda parametrave të lejuara. Përgjegjësit për menaxhimin e këtij liqeni konfirmojnë se portat e shkarkimit janë hapur për disa ditë rresht javën e fundit, me qëllim mbajtjen e nivelit maksimal të 318 metrave.
Fjorald Zguro: “Prurjet e ditëve të fundit kanë bërë që niveli i ujit këtu në liqenin e Bovillës të arrijë pranë niveleve maksimale. Aktualisht ndodhemi në kuotën e 317.8 metrave”.
Specialistët që monitorojnë digën e Bovillës garantojnë se situata është nën kontroll dhe falë mekanizmave të shkarkimi automatik dhe manual, nuk janë vënë për asnjë çast në rrezik zonat e banuara. Nga ana tjetër mbajtja e Bovillës në këto nivele përkthehet me rritjen e sasisë së ujit që pompohet drejt kryeqytetit, jo vetëm momentalisht, por edhe gjatë periudhës përgjithësisht problematike, atë të stinës së thatë të vitit./tvklan.al