Fjorald Zguro: “Ky është terminali i ri i pasagjereve në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, i cili pritet të inaugurohet brenda pak ditësh, duke shënuar kështu përfundimin e investimit për fazën B të investimit për zgjerimin dhe modernizimin e këtij aeroporti.”

Investimi gjatë kësaj faze nga ana e koncensionarit Tirana International Airoport shkon ne rreth 20 milionë euro dhe krijon më shumë hapësira si për pasagjerët ashtu edhe për kompanitë ajrore që operojnë në këtë aeroport. Drejtoresha ekzekutive e aeroportit Andrea Gebbeken, thotë se falë këtij investimi tashmë mund t’iu shërbehet me një cilësi më të lartë një numri prej të paktën 1 milion e gjysëm pasagjerësh në vit, teksa pothuajse janë dyfishuar sportelet e pritjes dhe të trajtimit të bagazheve.

Andrea Gebbeken: “Këtu jemi në një nga pjesët e terminalit të ri i cili është drejt përfundimit dhe pritet të hapet në 9 shtator, por siç edhe mund të shihni kemi nisur të përdorim disa nga hapësirat për sportelet. Ne do të kemi 14 sportele të reja pritjeje, bankë dhe agjenci këmbimi valutor. Ndërsa në pjesën mbrapa, pas kontrollit të dokumenteve, do të kemi 3 porta të reja për daljen e pasagjerëve në pistë, bar të ri dhe një hapësirë të madhe dyqanesh. Ky terminal ku ndodhemi tani mund t’iu shërbejë të paktën 1 milionë e gjysëm pasagjerëve në vit. Vetëm vitin e kaluar ne arritëm të regjistrojmë 1,3 milionë pasagjerë, pra duke parë këtë ecuri ne po vijojmë me programin e zgjerimit.”

Sipërfaqja e zgjeruar në terminalin e pasagjerëve shkon në rreth 4800 m2, 890 prej të cilave i takojnë pajisjeve për transportin e bagazheve. Ndërkaq është më se 2-fishuar edhe hapësira e sallës biznes.

Drejtues të aeroportit shtojnë se pasagjerëve do tu ofrohen shërbime më cilësore. Struktura me një kat dhe kanale shërbimi nëntokësore është e pajisur me sistem kondicionimi dhe ngrohjeje. Edhe kjo fazë e punimeve ka mbajtur firmën e arkitektit malajzian Hin Tan.

Lartësia e fasadës shkon në 13,5 metra dhe është një ndërthurje e strukturave metalike me muret e qelqtë. Faza e parë e ndërtimit të terminalit për pasagjerët filluar në maj 2005 e që kushtoi rreth 50 milion euro përfundoi në pranverën e vitit 2007, duke mundësuar një kapacitet prej 1 milion pasagjerësh në vit, ndërkohë që me zgjerimin e ri kjo shifër rritet edhe me 500 mijë pasagjerë të tjerë./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro