Pak orë pas sulmit nga Irani, jeta në Izrael i është kthyer normalitetit. Ambasadorja shqiptare në Izrael, Meri Kumbe, në një intervistë për Klan News bën me dije se qytetarët u paralajmëruan për sulmin, duke cilësuar zona me rrezikshmëri Veriun dhe Jugun, por pa shkaktuar asnjë panik.
“Askush nuk dinte të thoshte dhe nuk kishte asnjë udhëzim sa i takonte formatit të sulmit dhe vendeve ku do të goditeshin por gjithsesi ishte udhëzuar që Izraeli Qëndror ishte pjesë e sigurt, dhe qytetarët duhet të evitonin udhëtimet e panevojshme drejt jugut ose veriut të vendit”.
Në Izrael gjatë kësaj fundjave ndodheshin edhe 4 shqiptarë që merrnin pjesë në Panairin e Turizmit dhe Samitin e Teknologjisë, mes tyre edhe drejtoresha e Turizimit, të cilët për shkak të pezullimit të fluturimeve me të paktën 7 orë, patën një shtyrje të fluturimeve drejt vendit tonë.
“Në Izrael nuk ka pasur grup tur-operatorësh nga Shqipëria, janë vetëm dy persona që kanë udhëtuar nga Shqipëria, Përfaqësuesja e Unionit Turistik shqiptar dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Ministrisë së Turizmit. Fatmirësisht arritëm ta zhvillonim axhendën e të gjitha takimeve pa u cënuar nga situata. Grupi tjetër që është në samit, kemi dy shqiptatrë që ishin në Samitin e Teknologjisë, janë ende edhe ata në Izrael, në kërkim të një bilete tjetër”.
Ambasadorja Kumbe thotë se tensioni është më shumë politik dhe nuk ka rrezik direkt për qytetarët, ndaj komuniteti shqiptar që jeton në Izrael nuk ka pasur asnjë kërkesë për largim nga vendi.
“Nuk ka nevojë për panik, përveçse kemi qenë të gjitha strukturat siç ju thashë, në krye të detyrës, por nuk është klasifikuar nga Izraeli si situatë e rrezikshme për jetën e qytetarëve”.
Në vëmendje të Ambasadës Shqiptare në Izrael janë edhe shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Klan News