Pas 17 ditësh të bllokuar në një shpellë komplekse dhe të mbushur me ujë në Tailandë, 12 djemtë dhe trajneri i tyre janë nxjerrë jashtë nga ekipet e shpëtimit.
Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga Forcat e Marinës Tajlandeze, të cilët përgjatë gjithë këtyre ditëve drejtonin operacionin për shpëtimin e djemve dhe trajnerit, duke përmbyllur kështu një operacion të jashtëzakonshëm që tërhoqi vëmendjen e gjithë botës.
Sipas Agjencisë së Lajmeve Reuters, fëmijët e shpëtuar janë dërguar në spital, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore nuk dihet ende. 8 prej djemve u nxorën nga shpella përgjatë 2 ditëve të para të operacionit, 4 të dielën dhe 4 të hënën. Sot u bë e mundur dhe nxjerrja e 4 fëmijëve të tjerë dhe trajnerit të tyre.
Pas nxjerrjes së fëmijëve të parë, vetë ekipet arritën që t’ia merrnin dorën operacionit dhe kjo bëri që djemtë të nxirreshin më shpejt. Megjithatë ky operacion nuk ka qenë shumë i lehtë për shkak të rritjes së nivelit të ujit në shpellë, shkaktuar nga reshjet e shiut.
Djemtë, të moshës 11-16 vjeç, ishin pjesë e një skuadre futbolli dhe sëbashku me trajnerin e tyre 25-vjeçar mbetën të bllokuar më 23 Qershor. Ata po eksploronin shpellën, e cila ndodhet në provincën e Chiang Rai, kur e patën të pamundur të ktheheshin mbrapsht për shkak të rritjes së nivelit të ujit, si pasojë e reshjeve të shiut.
Ata u gjetën nga disa zhytës britanikë më datë 2 Korrik, pas ditë të tëra kërkimesh ku u angazhuan forcat ushtarake tajlandeze, si edhe zhytës nga marina amerikane dhe ajo britanike.
/tvklan.al