Vajza e shkrimtarit, Dritëro Agolli, i cili ndërroi jetë pasditen e së premtes, ka publikuar pak ditë më parë një dedikim prekës për babanë e saj.

Elona Agolli nëpërmjet një statusi  në rrjetin social Facebook ka shkruar për çastet e fundit të jetës së shkrimtarit të madh.

Elona e ka publikua postimin më 23 janar ndërsa ndodhej në Londër.

Postimi i Elona Agollit:

Babushi im më ndje; e di që ti në këtë orë lufton me errësirën, pasi ti e urren atë. Ti pret dritën. Unë jam me pjellën time tani, në një botë krejt ndryshe nga e jona, në një botë ku konsumohet e gëzohet; e ndërsa ti, i përhumbur mendon sesi do të jetë ajo botë e përtejme, ku mbizotëron errësira, ajo çka vështirë për ty si ateist, të mendohet e bukur dhe shpresëdhënëse.

Ati im më ndje; unë jam me Luelin e duhet të jem e gëzuar në sytë e tij, paçka se zemra pikon lot, paçka se mendjen e kam tek ti. Të dua shumë ati im. Nëse do të mund të dhurohej jeta, unë do ta jepja për ty; nëse do të mund të transferohej gëzimi, unë do të bëja çmos të të lumturoja.

Sot të bleva një shishe bojë e një pompë për stilografin tënd. Siç ma dhe porosinë para se të nisesha. Kur të kthehem, do të t’i tregoj dhe e di që do kënaqesh. Do mbushësh penën tënde, që aq ka gërvishur letrën e aq vargje e radhë ka shkruar. Të dua shumë Ati im. Londër, 23 janar./tvklan.al