Mesha e parë e Krishtlindjes në Sirinë e lirë. Të krishterët festuan për herë të parë pas rënies së presidentit Bashar al-Assad. Këtu, besimtarët e mbledhur për të ndjekur meshën e Krishtlindjes në kishën Zoja e Damaskut.

Masat e sigurisë janë të jashtëzakonshme, jo vetëm për të shmangur incidentet, por edhe për të nxitur besimin se udhëheqësit e rinj myslimanë sunitë i respektojnë të gjitha besimet dhe etnitë.

Udhëheqësit e kishës siriane i kanë këshilluar të krishterët të zvogëlojnë festimet sivjet, pavarësisht garancive nga islamikët që sapo kanë marrë pushtetin.

Kufizimet e vetëimponuara nxjerrin në pah një nga sfidat kryesore për sundimtarët e rinj islamikë të Sirisë: vendosjen e besimit të ndërsjellë midis një morie pakicash, të gjitha të dëmtuara nga diktatura brutale dhe 13 vjet lufte të pamëshirshme civile.

Sundimtari de fakto Ahmed al-Sharaa u ka thënë të krishterëve dhe grupeve të tjera se do të jenë të sigurt. Dhe hapi i parë ishte shpallja e Krishtlindjes festë zyrtare. Edhe pse vetë një ish-udhëheqës i grupit islamik mysliman sunit, i cili i sheh të krishterët si të pafe, Sharaa ka hequr shpejt uniformën e tij xhihadiste. Por shumë të krishterë nuk janë ende të bindur.

Më herët, në Damask dhe qytete të tjera pati protesta për djegien e një peme festive, duke nxitur thirrje që autoritetet e reja islamike të ndërmarrin hapa për të mbrojtur pakicat.

Një video e postuar në mediat sociale tregoi pemën në zjarr në sheshin kryesor të Suqaylabiyah, një qytet me shumicë të krishterë në Sirinë Qendrore. Autoritetet njoftuan arrestimin e luftëtarëve përgjegjës për incidentin.

Përfaqësuesit e grupit Hayat Tahrir al-Sham kanë premtuar të mbrojnë të drejtat dhe liritë e pakicave fetare dhe etnike në Siri.

Në mediat sociale u shfaqën pamje të disa burra të maskuar duke i hedhur benzinë pemës së Krishtlindjes një natë përpara festës.

Më pas një prej përfaqësuesve të grupit rebel qeverisës Hayat Tahrir al-Sham siguroi turmat e mbledhura se pema do të riparohej para mëngjesit. Burri më pas mbajti në dorë një kryq në shenjë solidariteti, diçka që konservatorët islamikë normalisht nuk e bëjnë.

Klan News