Zëvendës Kryeministrja Senida Mesi mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “DigitalKS”, organizuar në Prishtinë nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.
Mesi tha se hapja e negociatave për anëtarësim në BE e më tej procesi i anëtarësimit për të gjithë rajonin nuk mund të jenë të shkëputura nga integrimi digjital dhe ndërlidhja në infrastrukturë e të gjithë rajonit.
Kjo ndërlidhje e vendeve të rajonit, tha Mesi, ofron një perspektivë për Ballkanin Perëndimor si një vatër e re zhvillimi ekonomik dhe punësimi, ku natyrisht teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, proceset e digjitalizimit dhe inovacionit luajnë një rol shumë të rëndësishëm.
“Ne besojmë se ky integrim progresiv rajonal në këto fusha, por sidomos në atë digjitale do të shërbejë për prosperitetin e qytetarëve tanë, si dhe do të ndihmojë në konvergjencën me tregun evropian, duke e bërë Ballkanin Perëndimor një treg më tërheqës e me potencial zhvillimor. Kalimi drejt një shoqërie digjitale është një domosdoshmëri në ditët e sotme, për dhjetëra përfitimet që ajo sjell si për qytetarin dhe biznesin, ashtu edhe për vetë shtetin: lehtësi, reduktim kostosh, eliminim i burokracive”, tha Mesi./tvklan.al