Ka nisur sot seanca e trajnimeve për punonjësit e linjës së parë të ofrimit të shërbimeve (Front Office), ku fokus kryesor është kujdesi ndaj klientit dhe komunikimi, si dhe etika e sjellja ndaj qytetarit.

Punonjësit janë përzgjedhur nga institucione të ndryshme si: Agjencia e Trajtimit të Pronave, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit.

E pranishme në seancën e parë të trajnimeve për të përshëndetur pjesëmarrësit dhe për të theksuar rëndësinë e kësaj iniciative, ishte Zëvendëskryeministrja Senida Mesi, e cila udhëheq Reformën në Administratën Publike si një prej 5 prioriteteve kyçe të qeverisë shqiptare në rrugëtimin europian të vendit tonë.

Në fjalën e saj, Mesi theksoi se këto trajnime janë një nga elementët bazë të asaj që qeveria shqiptare po bën,  të ndërtojë “Administratën që duam” duke e ri-energjizuar dhe rivitalizuar atë në mënyrë që t’i përgjigjet nevojave aktuale të shoqërisë dhe ekonomisë sonë, proceseve të integrimit dhe kërkesave në rritje të qytetarëve.

“Natyrisht që secili prej jush dhe të gjithë së bashku duhet të bëjmë detyrën tonë ndaj çdo qytetari dhe biznesi në Shqipëri duke i shërbyer me cilësi, në kohë dhe në mënyrë transparente, por besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm që ka ende shumë për të përmirësuar në këtë drejtim! Prandaj edhe vijnë këto trajnime me fokus tek shërbimi ndaj qytetarit, ngjashëm si me parimin e kujdesit ndaj klientit”,

u shpreh Mesi duke nënvizuar faktin se gjatë trajnimeve do të ketë trajnues shumë të kualifikuar të cilët kanë përvojë të gjatë në fushën e shërbimeve publike.

“Qytetarët janë ‘klientët’ tanë, pa ata nuk do të jetë asnjëri prej nesh këtu ku është, ndaj themeli i ofrimit të shërbimeve në administratën publike duhet të jetë pa diskutim qytetari. Duhet të jemi të gjithë të ndërgjegjshëm e të kuptojmë që neve na mbajnë në kurriz qytetarët, janë ata që na mbajnë këtu ku jemi dhe u detyrohemi atyre deri edhe rrogën tonë, ndaj vëmendja duhet të jetë tek përmirësimi i të gjithë proceseve të shërbimit ndaj tyre”

, ndër të tjera u shpreh Zëvendëskryeministrja Mesi, teksa theksoi vendosmërinë dhe angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të transformuar njëherë e përgjithmonë kulturën e punës brenda administratës publike.

Trajnimet janë të përvitshme dhe do të organizohen brenda një harku kohor prej 4 muajsh në rreth 65 seksione të ndryshme e në 5 rajone të vendit: Tiranë, Shkodër, Fier, Korçë dhe Elbasan. Në total, në trajnime do të përfshihen 1,532 punonjës, nga 18 institucionet kryesore shërbim-livruese të vendit.

/tvklan.al