Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, njëherazi edhe zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm, ka deklaruar, se bojkoti i Partisë Socialiste po përdoret si mjet presioni nga kryetari i saj, Edi Rama, për pazare, përmes të cilave ai kërkon të vërë nën kontrollin e tij Prokurorinë, Gjyqësorin dhe Presidentin e Republikës.

Duke e cilësuar amoral dhe të pajustifikuar vendimin politik të Ramës për të mbajtur jashtë Kuvendit deputetët socialistë, Meta tha prerazi pas mbledhjes së Kryesisë së LSI-së në Korçë se zbatimi i ligjeve është e vetmja përgjigje që kjo qeveri ka ndaj politikës së pazareve të Edi Ramës.

Ilir Meta: “Karagjozllëqe të tilla se kjo mënyrë e të dëmtuar demokracinë përmes një bojkoti krejtësisht të pajustifikuar dhe të moralshme, absolutisht që të jenë të sigurt që nuk do tu japim as presidentin, as kryeprokurorin dhe as kryetarit e gjykatave që i kërkojnë si pazar për të mbyllur gjoja një krizë që e kanë sajuar vetë, sepse kriza nuk ekziston, është thjesht çoroditja e tyre. Të jeni të sigurt se çdo gjë do të zgjidhet duke respektuar dhe zbatuar Kushtetutën.”

Meta iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve lidhur me bojkotin e deputetëve të Selisë Rozë dhe mungesën e një dialogu.

Ilir Meta: “Dialogu është gjithnjë i mirëpritur dhe ju e dini shumë mirë që është refuzuar vetëm nga një person. Shqipëria ka një Kushtetutë  dhe Kushtetuta do të zbatohet. Edhe për mandatet e deputetëve edhe për pretend9imet që kanë pasur të bëjnë me zgjedhjet. Mos mendoni se mandatet e atyre deputetëve që do të mund të hyjnë si rezultat i votimit të Kushtetutës do të jenë nga partitë që janë në koalicionin qeverisës ato do të jenë nga të Partisë Socialiste, të partive të tjera sipas kushtetutës, konsensual Rama-Berisha.”

Kreu i LSI-së ka ritheksuar se bojkoti i opozitës është një akt papërgjegjshmërie që po pengon integrimin e vendit në BE./tvklan.al

Gazetare: Daniela Zisi