Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka zhvilluar takime me banorë në Krumë të Hasit, si dhe në Shishtavec të Kukësit. I shoqëruar nga kandidatët për deputet në zgjedhjet e qershorit, Zef Cupi dhe Qemal Elezi, Meta bashkëbisedoi me banorët e këtyre komunave lidhur me problemet që i shqetësojnë ata.

Ilir Meta: “Ne kemi një program shumë të qartë që nxjerr bujqësinë nga kriza, duke futur fort rolin e shtetit dhe duke realizuar disa momente subvencionimi. Prandaj kjo politikë subvencionuese që ne kemi për bujqësinë do të bëjë të mundur që brenda 4 viteve të rritet disa herë më shumë prodhimi ynë bujqësor, të rriten kapacitetet agropërpunuese dhe 50-60% e këtyre importeve që ne marrim sot nga jashtë pra bëhet fjala për 300-400 milion euro, të mos importohen më, po të jenë këtu, prodhim vendas.”

 Në fjalën e tij, kreu i LSI-së u bëri thirrje banorëve të votojnë për LSI –në, duke thënë se pas zgjedhjeve parlamentare, dyert e parlamentit shqiptar do të jenë të hapura për zgjidhjen e problemeve në këto zona të vendit.

Meta tha se një nga prioritetet e partisë së tij do të jetë qarku i Kukësit duke premtuar më shumë rrugë që do ta lidhin atë me qytetet e tjera të vendit./tvklan.al

Gazetare: Bora Sadriaj