Një partner të rëndësishëm ekonomik. Kështu e ka cilësuar zëvendës kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, Kinën, gjigandin aziatik me të cilën na lidh një histori marrëdhëniesh 60 vjeçare.

Në këtë përvjetor, në Tiranë ka mbërritur zëvendës kryeministri i Republikës Popullore të Kinës, Deijang Zhang, i cili bashkë me homologun e tij, Ilir Meta, dhe delegacionet përkatëse, nënshkruan 6 marrëveshje me karakter ekonomik.

Në fjalën e tij, zëvendës kryeministri, Meta u shpreh se objekt i bisedimeve dypalëshe ishte forcimi i bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe tregtare si dhe nxitja e rritjes së investimeve kineze në vendin tonë në fusha të rëndësishme siç është ajo në energjetike.

Ilir Meta: “Marrëdhëniet e shkëlqyera shumëplanëshe mes dy vendeve tona veçanërisht në planin politik dhe ekonomik janë rritur dhe do të zhvillohen në nivele më të larta. Prioritet i veçantë në marrëdhëniet mes dy vendeve do të jetë bashkëpunimi ekonomik.”

Nga ana e tij, zëvendës kryeministri kinez, Zhang u shpreh i kënaqur me vizitën e tij në Shqipëri. 

Në emër të qeverisë kineze, Zhang shprehu gatishmërinë për bashkëpunime të mëtejshme me karakter ekonomik me vendin tonë.

Deijang Zhang: “Jam i kënaqur që jem i pranishëm në Shqipëri në 60-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Bisedimet mes dy palëve u fokusuan në rritjen e bashkëpunimit diplomatik dhe atë ekonomik.”

Takimet mes zëvendës kryeministrit kinez dhe autoriteteve më të larta të vendit tonë pritet të vijojnë edhe në dy ditët e ardhshme./tvklan.al