Prokuroria e Posaçme dërgoi në gjyq biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish-drejtorin e policisë, Oltian Bistri, ish-prokurorin Xhevahir Lita dhe 4 të tjerë të akuzuar në dosjen e parë të njohur si “Metamorfoza”.

Ata u vunë nën hetim nga komunikimet e zbardhura nga aplikacioni i koduar Sky dhe janë vënë përballë disa akuzave nga SPAK.

Biznesmeni Pëllumb Gjoka akuzohet se është përfshirë në vrasjen e shtetasit Gjin Boriçi, sigurimin e kushteve për vrasjen e shtetasit Kleanthi Musabelliu dhe 2 të tjerëve.

Ai gjithashtu akuzohet se ka korruptuar prokurorin Xhevahir Lita, për të lehtësuar hetimet ndaj Behar Bajrit.

Ky i fundit gjithashtu është marr i pandehur në këtë dosje, për të njëjtat ngjarje në bashkëpunim me Gjokën.

Gjykata pranoi edhe kërkesën e SPAK për të çuar në gjyq ish-drejtorin e Operacionales, Oltian Bistri, për akuzën e korrupsionit dhe nxjerrjes së akteve sekrete.

Ish-prokurori Xhevahir Lita, akuzohet për korrupsion dhe ish-Shefi i Krimeve në Shkodër, Ardrit Hasanbegaj për pjesëmarrje në grupin kriminal dhe sigurim kushtesh për vrasje.

Të pandehurit kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, kërkesë që pritet ta shqyrtojë trupa gjykuese e themelit.

Tv Klan