Vetëm kur shteti i Kosovës të anëtarësohet në OKB, atëherë do të bëhet edhe anëtare e UEFA-s.

Si rrjedhojë përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të mund të luajë ndeshje miqësore dhe do të përfshihet në garat ndërkombëtare.

Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, e ka ritheksuar këtë edhe një herë në vizitën e tij në Maqedoni.

Michel Platini: “Të njëjtën gjë e thashë dhe dje në Serbi. UEFA nuk merret as me politikë, e as me fe, por është shoqatë futbollistike. Unë jam presidenti i UEFA-s dhe duhet të respektoj statutin e UEFA-s. Statuti i UEFA-s është shumë i qartë e kjo është se çdo vend para se të bëhet anëtare e UEFA-s duhet të jetë anëtar i OKB-së. Përderisa Kosova nuk është e pranuar nga OKB-ja nuk mundet të anëtarësohet në UEFA.”

Por ndërkaq klubeve private të futbollit dhe sporteve të tjera nuk u ndalohet të zhvillojnë miqësore me ekipet kosovare.

Në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës Dinamo luajti një miqësore ndaj Prishtinës. Aktualisht në Kosovë gjendet edhe Besa e Kavajës në një turne dyditor miqësor./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe