Shumë futbollistë, trajnerë dhe protagonistë të tjerë të rëndësishëm do të vlerësohen mbrëmjen e sotme me çmime për kontributin e tyre në futbollin shqiptar. “Topi i Artë 2024” do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në Televizionin Klan.
Me organizimin e FSHF-së dhe nën moderimin e Ardit Gjebreas dhe Almeda Abazit pritet që të ofrojë spektakël, surpriza dhe shumë emocione. I ftuar mëngjesin e kësaj të hëne në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” ishte i ftuar presidenti i FSHF-së, Armand Duka i cili ndau më shumë detaje rreth eventit.
Sipas tij në sallë nuk do të jenë të pranishëm vetëm figura të futbollit shqiptar, por dhe shumë figura të rëndësishme ndërkombëtare. Duka tha gjithashtu se do të ketë përshëndetje dhe nga Presidenti i FIFA-s dhe UEFA-s.
“Ne e kemi pagëzuar ‘Topi i Artë Shqiptar’ për ta vazhduar këtë traditë çdo vit dhe për të qenë një shtysë e objektiv më shumë për të gjithë ata që luajnë futboll. Por dhe për ata që ne kërkojmë të vijnë dhe të luajnë futboll. Ne do të kemi dhe prezencë ndërkombëtare në sallë, do të kemi dhe përshëndetje nga Presidenti i FIFA-s dhe UEFA-s, kështu që është një aktivitet vërtet shumë i rëndësishëm. Do të ketë një ndërthurje të futbollit, me më të mirëve të futbollit, por dhe nga i gjithë komuniteti. Në sallë do të ketë dhe nga fusha të tjera të jetës në Shqipëri”, tha Armand Duka./tvklan.al