Për këdo që planifikon të mësysh Shqipërinë për pushime verore tani ekziston edhe një arsye shtesë për ta bërë një gjë të tillë. Shqipëria së fundi është futur në listën e top 50 vendeve më turistike në botë.
Ministri shqiptar i turizmit Ardian Turku tha, se vendi përpos bregdetit u ofron turistëve edhe shumë pika historike anë e kënd Shqipërisë.
Ardian Turku: “Sektori i turizmit në Shqipëri jo vetëm që s’do të njohë rënie, por do të njoh rritje. Mjafton të them Shqipëria konsiderohet si në top listën e 50 vendeve më të preferuara dhe rekomandohet si e tillë në turistët e gjithë botës.”
Turku ka siguruar se pos autostradës e cila pritet të hapet pas pak javësh shteti shqiptar ka ndërmarrë të gjitha hapat e duhur për pushime sa më të mira vend. Siguria, rryma e ujit do të jenë kushte të tjera që shteti shqiptar ka ndërmarrë për turistët potencial. Tashmë kalimin drejt Shqipërisë kosovarët mund ta bëjnë çfarëdo dokumenti identifikues. Vitin e kaluar Shqipërinë e kishin vizituar 320 mijë turistë nga Kosova. Këtë verë pritet që numri i tyre të jetë edhe më i madh.
Ardian Turku: “Tashmë janë krijuar për këtë vit mundësi shumë më të mira që një turist i huaj për gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Shqipëri të bëjnë kombinime më të mira se deri tashmë midis qëndrimit në bregdet dhe shijimit të asaj që ofron bregdeti shqiptar me atraksione të tjera turistike.”
Ministri i turizmit të Shqipërisë gjithashtu paralajmëroi se ndërtimi i rrugës mes dy vendeve do të pasojë po ashtu me fluks turistësh nga Shqipëria drejt Kosovës.
Ai ftoi kosovarët që të jenë gati me ofertat e tyre për turistët nga Shqipëria, sidomos për pushime të shkurtra që mund të realizohen gjatë fundjavave./tvklan.al