Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha mori pjesë në kuvendin e 10 të PD në Gramsh. Në këtë takim Basha i ka cilësuar absurde deklaratat e kryesocialistit Rama, sipas të cilit Shqipëria është anëtarësuar në NATO pa bërë reforma dhe pa plotësuar standardet.
Kjo sipas Bashës është fyerje për NATO-n, por edhe për ata punonjës e drejtues të institucioneve të rëndësishme shqiptare si dhe të forcave të armatosura. Që me punën e tyre në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, me konsolidimin e institucioneve demokratike, me reformimin e forcave të armatosura bën të mundur që vetëm 24 orë me parë Shqipëria ti bashkohej aleancës më të madhe të lirisë që bota ka njohur deri më sot.
Gjithashtu Basha për të hedhur poshtë qëndrimin aspak normal të zotit Rama solli në vëmendje dhe deklaratën e një dite më parë të zëvendës sekretarit amerikan të shtetit, i cili shprehimisht tha se ne kërkojmë standarde të larta në vendet anëtare dhe pranimi i sotëm i Shqipërisë dhe Kroacisë është shenjë respekti për arritjet tuaja.
Lulzim Basha: “Zoti Rama është në një krizë të thellë. Kjo krizë buron nga pozicioni ku ai ka vendosur veten nga gënjeshtra me të cilën jeton, ushqehet dhe fle çdo natë për tu zgjuar çdo mëngjes. Gënjeshtra se Shqipëria nuk ka ndryshuar se NATO paska ulur standardet, jo i themi sot nga kjo sallë, Shqipëria ka ndryshuar, Shqipëria po ndryshon, Shqipëria është sot në NATO dhe kjo vetëm e vetëm sepse ne arritëm standardet. I vetmi që nuk ka ndryshuar je ti zoti Rama. Nuk ndryshon dot zakonet e tua të errëta politike, ato të shpifjes, manipulimit, të korruptimit dhe të censurimit. Por një njeri i vetëm nuk mund ta mbajë peng të ardhmen e një vendi dhe për këtë arsye sot të lejmë në dëshpërimin tënd.”
Ministri Basha tha se anëtarësimi në NATO është hapi i parë i një ndryshimi rrënjësor dhe të pakthyeshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në mandatin e dytë të PD-së tha Basha, qytetarët shqiptar do të mund të lëvizin lirish nëpër vendet e BE-së si dhe do të shohin ndryshimin më të madh të infrastrukturës, cilësisë dhe shërbimit, përkujdesit shëndetësor, arsimit si dhe shpërblimit për punën e tyre./tvklan.al