Shqipëria është e angazhuar për kryesimin e organizatës për bashkëpunim dhe siguri në Europë në vitin 2012. Gjatë vizitës së tij në selinë e OSBE-së në Vjenë ministri i jashtëm Lulzim Basha ka nënvizuar kontributin që mund të japë vendi ynë në kryesimin e kësaj organizate dhe vlerat që Shqipëria mund të përcjellë në aktivitetin e saj, në përmbushje të mandatit të dhënë nga vendet anëtare.
Lulzim Basha: “Bashkëpunimi më OSBVE-në do të vazhdojë dhe do të forcohet në të gjitha fushat ku ky bashkëpunim ka dhënë rezultate të kënaqshme. Në veçanti unë shpreha mirënjohjen për kontributin e OSBE-së në reformën elektorale dhe garantova për mbështetjen e vazhdueshme për aktivitetin e prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe bashkëpunimin OSBE-Shqipëri në formën elektorale, në reformën e drejtësisë. Forcimin e kuadrit ligjor, forcimin e institucioneve dhe shtetin ligjor dhe demokracisë shqiptare.”
Gjatë fjalimit të mbajtur para këshillit të përhershëm të OSBE-së, kryediplomati shqiptar tha se monitorimi i zgjedhjeve të vitit 2009 në Shqipëri nga OSBE-ja duhet të jetë shumë herë më i madh se herët e tjera.
Lulzim Basha: “Prezenca e OSBE-ODIHR është një traditë në zgjedhjet shqiptare. Kjo traditë jo vetëm që do të vazhdojë, ne kemi bërë thirrje për numrin më të madh të vëzhguesve në zgjedhjet e ardhshme të parë ndonjëherë në zgjedhjet në Shqipëri. Dëshirojmë që këto zgjedhje të cilat mazhoranca, qeveria gjithë institucionet tona kanë impenjimin maksimal të shënojnë një shkëputje të plotë nga praktikat e kaluara dhe në radhë të dytë për të demonstruar vullnetin e Shqipërisë dhe kapacitetet e Shqipërisë, për të implementuar një demokraci funksionale të standardeve europiane, çka është shumë e rëndësishme për arritjen e objektivave tona të më tejshme në integrimin e plotë Evropian dhe atlantik të vendit.”
Ai informoi Këshillin e Përhershëm për ecurinë e reformave në vend, rezultatet e deritanishme të Shqipërisë në fushën ekonomike dhe në luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në deklaratat përkatëse SHBA dhe BE pasi siguruan për mbështetjen e plotë në procesin e reformave të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, vlerësuan me nota pozitive arritjet e vendit tonë në fusha të ndryshme.
Konsensusin politik ekzistues për përfundimin me sukses të reformës elektorale si dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon. Gjatë vizitës së tij në Vjenë zoti Basha u prit në takime të veçanta nga kryetari i këshillit të përhershëm, ambasadori i Finlandës zoti Anti Turunen dhe sekretari i përgjithshëm i organizatës Mark Perin./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle