Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Data 30 Qershor është afati i fundit që Ministri i Pushtetit Vendor Ben Blushi dha dy muaj më parë të gjitha bashkive të vendit, për të rregulluar sistemin e adresave dhe për të emërtuar të gjitha rrugët. Por një ditë përpara përfundimit të këtij afati, nuk shihet asnjë ndryshim, vazhdon të jetë i njëjti kaos.

Vetëm në Tiranë janë 800 rrugë të paemërtuara. Është pothuajse e pamundur të orientohesh, pasi asnjë nga pallatet e shumtë të ngritura këto 14 vitet e fundit nuk ka numra. E vetmja mënyrë është të pyesësh për ndonjë emër dyqani që ndodhet aty pranë, pasi dhe ngjyra e pallatit nuk të bënë më punë, tani që në Tiranë të gjitha pallatet janë shumë ngjyrëshe.

Ministri Blushi përmes një letre i ka kërkuar partive politike, që të ushtrojnë influencën e duhur pranë bashkive që ato përfaqësojnë për të ndërhyrë për problemin e adresave dhe kjo në funksion të përmirësimit të listave të zgjedhësve. Ndërkohë që sipas një njoftimi për shtyp të kësaj ministrie, kjo thirrje e Blushit është pritur me indiferencë nga njësitë e qeverisjes vendore./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka