Një qendër e re kombëtare e aplikimeve energjetike do të mundësojë thjeshtësimin në maksimum të procedurave për koncesionet në fushën e energjetikës.
Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, duke lançuar reformën e qeverisë për investimet në këtë sektor, të miratuar vetëm pak ditë më parë nga task-forca rregullatore e drejtuar nga kryeministri Berisha, tha se tashmë investitorët e interesuar për koncesionet në këtë fushë do të aplikojnë për 60 leje në një sportel të vetëm.
Dritan Prifti: “Me këtë reformë, qeveria dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës lehtësojnë në mënyrë maksimale procedurat e zbatimit të koncesioneve në energjetikë. Investitorët nga fillimi i këtij procesi do të shkojnë vetëm në një sportel, pra vetëm në Qendrën Kombëtare të Licencimit. Atje do aplikojnë për të 16 lejet.”
Për ministrin Prifti, leja do të quhet e dhënë në të gjitha ato raste kur institucionet e pushtetit vendor apo atij qendror e vonojnë miratimin e saj jashtë afateve 30 deri në 60 ditë.
Sipas kreut të energjetikës, sektori i drejtuar prej tij është më vitali në fushën e investimeve. Rreth 114 koncesione janë dhënë deri më tani dhe janë më shumë se 30 të tjera në proces.
Qendra Kombëtare e Aplikimeve Energjetike do të funksionojë brenda Qendrës Kombëtare të Licencimeve./tvklan.al