Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, deklaron se shumë shpejt, Shqipëria do të plotësojnë standardet më të larta të sigurisë së kufijve nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Deklarata e Ministrit Basha u bë gjatë inspektimit nga afër të sallës operative në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, duke parë ecurinë e procesit të integrimit të sistemeve të kërkimit, identifikimit dhe analizës së informacionit.
Vënia në funksionim e qendrës së vetme operacionale ku janë të integruara sistemi TIMS, sistemi i survejimit të vendkalimeve kufitare nëpërmjet kamerave dhe sistemi i kontrollit detar, ka nisur në fillim të muajit shtator dhe është një nga elementët e rëndësishëm të Strategjisë së Menaxhimit të Integruar të Kufirit.
Ministri Basha deklaroi pas inspektimit, se modernizimi dhe integrimi mes tyre i sistemeve të informacionit ka të bëjë me objektivat e qeverisë Berisha për qeverisjen elektronike, tashmë të shtrira në një fushë shumë të rëndësishme siç është ajo e zbatimit të ligjit.
Lulzim Basha: “Pra mund t’iu them se integrimi i këtyre sistemeve do të pajisë Shqipërinë me standardin më të lartë në Ballkanin Perëndimor për ruajtjen e kufirit, me praktikën më hermetike të goditjes së krimit ndërkufitar dhe në të njëjtën kohë me një transparencë të pa demonstruar ndonjëherë nga ndonjë vend tjetër i rajonit. Në inspektimin e ardhshëm të Komisonit Europian, Shqipëria të vlerësohet si një nga vendet e Europës Juglindore me standardin më të lartë për ruajtjen, kontrollin dhe sigurinë e kufijve.”
Kjo sallë posedon 24 orë në ditë të dhëna, nga të 26 pikat kufitare të vendit. Ky sistem do të ndërlidhet, pra do të ketë një ndërfaqe me Regjistrin e Gjendjes Civile, duke mundësuar shkarkimin e të dhënave të këtij regjistri për të gjithë shtetasit që posedojnë pasaporta biometrike dhe ato aktuale, me sistemin MEMEX të analizës së informacionit kriminal, e po kështu me sistemin e kontrollit të kufirit detar.
Në sallën qendrore operative të policisë, do të kryhet survejimi në kohë reale i të gjitha vendkalimeve kufitare nëpërmjet sistemit të kamerave, e po kështu edhe kontrolli i kufirit detar nëpërmjet imazhit të përcjellë nga sistemi i kontrollit detar./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani