Shqipëria ka nënshkruar Konventën e Hagës për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja në çështjet civile dhe tregtare. Lajmin e bën të ditur Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i cili përmes një postimi në Facebook thekson se ky është një “hap historik, i rëndësishëm që garanton njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore shqiptare në të gjitha shtetet anëtare.”
Më tej, ministri thotë se “kjo arritje riafirmon përkushtimin e Ministrit të Drejtësisë për të ndërtuar një sistem drejtësie më të besueshëm dhe të aksesueshëm për qytetarët dhe bizneset shqiptare, duke ulur ndjeshëm kostot dhe kohën e ekzekutimit të vendimeve civile dhe tregtare, gjë që përmirëson ndjeshëm klimën e biznesit në Shqipëri. Konventa vendos një gurthemel të fortë në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.
Si anëtare e Konferencës së Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare Private, Shqipëria është tani palë në 17 konventa të kësaj organizate, katër prej të cilave janë firmosur nën drejtimin e Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, duke forcuar reputacionin e Shqipërisë në drejtësinë ndërkombëtare.”
/tvklan.al