Lajme Arkiva 2003

Shpejtësia e reformave rezultatet në luftën kundër trafiqeve dhe krimit do të afrojnë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Me hedhjen e hapave të shpejta në procesin e stabilizim-asocimit, jo vetëm Shqipëria, por edhe vende të tjera do të japin shanse që Bashkimi Evropian mund të krijojë programe të veçanta asistence është shprehur Ministri i Integrimit Sokol Nako.

Përgatitjet e fundit për pjesëmarrje në takimin e nivelit të lartë që do të zhvillohen në Selanik janë diskutuar në komisionin parlamentarë të integrimit.

Sokol Nako: Krijimi i partneritetit evropian  rritja e pjesëmarrjes së vendeve të Ballkanit perëndimor në programet e asistencës që ofron Bashkimi Evropian që deri më sot nuk kanë qenë të aksesueshme për vendet tona si dhe një sërë instrumentesh të tjerë si ato të binjakëzimeve apo sforcimit të shkëmbimeve nëpërmjet vendeve tona dhe atyre të Bashkimit Evropian, të gjithë me synimin për përshpejtimin e procesit të stabilizim-asocimit. Punimet e Samitet pritet natyrisht që të zyrtarizojnë dhe të institucionalizojnë atë që thashë më sipër.  Natyrisht ky është një proces që është i shtrirë në kohë dhe që në fund të fundit duhet të reflektojë angazhimin e gjithsecilit, për të bërë të mundur sa më mirë shfrytëzimin e këtyre hapësirave që do të hapen.

Përsa i përket pjesëmarrjes së Kosovës në këtë Samit të rëndësishëm të Selanikut, Nako shprehet.

Sokol Nako: Kjo do të thotë që ajo nuk mbetet jashtë vëmendjes, nuk mbetet jashtë tendencave integruese të Bashkimit Evropian madje tashmë ka filluar të zbatohet mekanizmi përqasë që është një mekanizëm që reflekton edhe kushtet specifike në të cilat ndodhet Kosova, por që në fund të fundit është një element apo një instrument shumë i përshtatshëm për të nxitur proceset pozitive.

Çështjet më shqetësuese që Bashkimi Evropian do të tërheq vëmendjen vendeve pjesëmarrëse pritet të jenë ato me drejtësinë dhe rendin./tvklan.al