Zona e Gërdecit është e sigurt për banim dhe ndërtim. Ministri i mbrojtjes Gazmend Oketa siguroi edhe njëherë banorët e kësaj zone se nuk ka asnjë rrezik dhe gjeti mbështetjen e banorëve dhe autoriteteve lokale se jeta vazhdon normalisht. Ai tha se potencialisht i vetmi rrezik për shpërthim mund të ekzistojë në zonën e rrethuar, ku punojnë ekspertët e demontimit.
Gazmend Oketa: “Dhe nëse flasim për probabilitet, për shpërthim flasim gjithmonë brenda zonës së rrethuar. Që do të thotë edhe në rast se ndodh një shpërthim, i cili tashmë kanë kaluar 5 muaj dhe nuk ka ndodhur as dhe shpërthimi më i vogël. Bëhet fjalë gjithmonë brenda territorit të rrethuar, jashtë territorit të rrethimit nuk ka problem përsa i takon shpërthimeve.”
Deklaratat zoti Oketa i bëri pas një ceremonie ku iu dorëzoi përfaqësuesve lokal vendimin e qeverisë për kthimin e ambienteve të ish-reparit të tankeve në Marqinet në territor për ndërtimin e një shkolle të re dhe ambienteve sportive për Vorën./tvklan.al
Gazetar: Drini Zeqo