Në një kohë kur klima brenda familjes europiane nuk është shumë optimiste për një zgjerim të shpejtë të BE, kryeministri Berisha ka kërkuar nga kabineti i tij të përmbushë një nga kushtet kryesorë që do të mundësonte që vendi ynë të pretendojë për t’u bërë vend kandidat për në BE, luftën pa kompromis ndaj korrupsionit.
Duke kërkuar të shihet me prioritet zbatimi i strategjisë ndër sektoriale për luftën ndaj korrupsionit 2008-2013, kryeministri e ka cilësuar si kusht përcaktues për anëtarësimin në BE, renditjen e vendit në listën e 20 vendeve të botës që kanë nivelin më të ulët të këtij fenomeni.
Sali Berisha: “Është arritje e rëndësishme, që të zhvendosemi në 3 vjet nga grupi i 24 vendeve më të korruptuara të planetit dhe objektivi ynë është grupi i 20 vendeve të para. Nuk mund të them se kjo do të arrihet në një vit, por kjo do arrihet me vendosmëri të hekurt. Korrupsioni në fakt është shndërruar në faktorin numër 1 pa zgjedhje të lira them, të vlerësimit dhe të etalonimit të vendeve për tu përzgjedhur në procesin e integrimit.”
Luftën me tolerancë zero ndaj korrupsionit për Berishën duhet ta drejtojë padyshim mazhoranca që qeveris, por duke pasur dhe konsensusin e opozitës.
Sali Berisha: “Është e domosdoshme ndryshimi i ligjeve të bazuara mbi babëzinë. Ne duhet të vendosim në mënyrë të hekurt transparencë të plotë në të ardhurat e partive tona. Mazhoranca është e papajtueshme me standardet evropiane situata e parlamentit shqiptar. Në qoftë se mbajmë ne deputetë me shoferë me veturë në kurriz të taksapaguesve, mos mendoni ju se bindim njeri në vullnetin për të luftuar me zero tolerancë korrupsionin. Do të bisedojmë më opozitën, sigurisht dhe me shumë insistim ti bindim që ato ligje që janë ti ndryshojmë bashkërisht. Institucionet duhet të bëhen të pastërta.”
Për kryeministrin kontributi zyrtarëve të veshur me imunitet në luftën kundër korrupsionit. Duhet të jetë pikërisht heqja dorë nga mburoja imunitare. Për këtë arsye Berisha ka ripërsëritur edhe njëherë ftesën për opozitën për të miratuar sa më shpejt në parlament, nismën ligjore për kufizimin e imunitetit./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka