Privatizimi i sistemit të shpërndarjes së Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare nuk do të prek çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët shqiptar. Ky është një nga kushtet e parashikuar në kontratën e shitjes prej 102 milion eurove me kompaninë çeke CEZ, kontratë që është miratuar me vendim të këshillit të ministrave në mbledhjen e radhës.
Sali Berisha: “Qeveria përjashtoi elementët të cilët në mënyrë automatike mund të rëndonin mbi kurrizin e qytetarëve shqiptarë, dhe kjo është merita e dytë e madhe e këtij privatizimi, sepse formula që bazoheshin në përballimin nga qytetarët të kostos së këtij privatizimi u përjashtuan tërësisht. Me privatizimin e KESH-it mbyllet seriali i privatizimit të sipërmarrjeve të mëdha shtetërore. Të shndërruara në korporata thellësisht problematike në menaxhim dhe palcërisht të korruptuara.”
Privatizimi i OSSH vjen në një moment kur e gjithë bota po tronditet nga kriza financiare dhe kjo është një tjetër arsye përse kreu i ekzekutivit e cilësoi si arritje të kësaj qeverie, privatizimin e sistemit të shpërndarjes së KESH-it, gjë që nuk u bë për vite me radhë nga qeveritë e mëparshme.
Sali Berisha: “Ky është një privatizim plotësisht i suksesshëm. I nisur vite e vite më parë privatizimi i KESH-it u bë si vegu i Penelopës për qeveritë e mëparshme, ndërsa kjo qeveri realizoi një privatizim plotësisht të suksesshëm.”
Nga llogaritë e bëra nga një llogari ndërkombëtare e kontraktuar nga qeveria shqiptare, aksionet e OSSH ku përshihen kabinat elektrike, sportelet e pagesave dhe nënstacionet e vogla elektrike, u vlerësuan 4 miliard lek. Ndërkohë që shteti arriti të fusë në arkën e tij nga ky privatizim afro dyfishin e kësaj shume.
Në kontratë është parashikuar që edhe borxhet e korporatës që janë kredi të marra në masën 17 miliard lekë të paguhen nga kompania blerëse CEZ./tvklan.alGazetare: Elja Zotka