Një ditë pas urdhrit të Ministrisë së Mjedisit për të pezulluar punimet në sheshin Skënderbej, bashkia ka vijuar aktivitetin e saj, siç tregojnë edhe këto pamje të xhiruara në mesditë.
Inspektorati i Mjedisit vendosi pezullimin e punimeve për shkak se bashkia nuk është pajisur me lejen e mjedisit.
Punimet dhe trafiku ende i pazgjidhur në këtë nyje kryesore për qarkullimin rrugor në kryeqytet rriti në mënyrë të ndjeshme nivelin e ndotjes së ambientit.
Për mungesën e lejes mjedisore bashkia u penalizua edhe me një gjobë prej dy milionë lekësh, por pavarësisht mungesës së dokumentacionit dhe duke injoruar urdhrin e Ministrisë së Mjedisit, Bashkia e Tiranës ka vazhduar normalisht punimet.
Në këto kushte, ligji parashikon ndërhyrjen e Inspektoratit Ndërtimor për të pezulluar punimet.
Në këtë aksion, gjithnjë sipas ligjit, ky inspektorat mbështetet edhe nga policia e rendit. Po kështu, Bashkia e Tiranës i ka nisur punimet në sheshin Skënderbej pa marrë më parë miratimin nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.
Ministri Ferdinand Xhaferri deklaroi se Rama ka shkelur një vendim të qeverisë në vitin 2002, të kërkuar nga vetë ai në kohën kur drejtonte Ministrinë e Kulturës, që e shpallte sheshin në ansambël monument kulture.
Ai publikoi të shtunën dhe korrespondencën mes Ramës dhe qeverisë së asaj kohe, që e vërteton këtë fakt./tvklan.al