Brenda vitit 2009 shqiptarët do të pajisen me karta identiteti dhe pasaporta të reja biometrike. Një standard institucional që ministri i punëve të brendshme Bujar Nishani mori dy vjet më parë. Procesi i përzgjedhjes për projektin e parë të këtij lloji në Shqipëri kërkoi dhe asistencën e shërbimeve të specializuara policore siç është dhe Interpoli.

Bujar Nishani: “Në rastin se një qytetar, i cili është banor le të themi i qytetit të Shkodrës, por ka një problem të regjistrimit të pronës apo me zgjidhjen e çështjes së pronësisë në gjykatë në Tiranë, nuk do t’i duhet të kërkojë këtë dokumentin në zyrat e gjendjes civile të Shkodrës, por zyra e gjendjes civile në mënyrë online ia transmeton të gjitha të dhënat zyrës homologe në Tiranë apo në Vlorë kudo që ndodhet qytetari dhe në mënyrë automatike zgjidhet çështja e dhënies së gjeneraliteteve dhe identitetit të personit që kërkon për zgjidhjen e një problemi të caktuar.”

Ministri Nishani tregon se pajisja me këto dokumente të reja do të eliminojë zyrat e gjendjeve civile si dhe do të penalizojë çdo shtetas që qarkullon pa pajisjen me kartën e ID.

Bujar Nishani: “Po themi në një kontroll rutinë të policisë në rrugë që qarkullon për të verifikuar identitetin tënd, do të jetë i vetmi dokument. Mos pasja e tij penalizohet sipas kodit administrativ përkatës. Do të jetë i vetmi dokument i cili do të vërtetojë po ashtu identitetin tuaj në një sërë plotësimesh të shërbimeve le t’i referohemi tërheqjes së marrjes së pagës, marrjes së pensioneve, të çështjeve që kanë të bëjnë me sigurimet shëndetësore, me sigurimet shoqërore, me pajisen për dokumente për daljen jashtë shteti, për regjistrimet në shkollë, për regjistrimet e çështjes së pronave.”

Një ditë më para ministri Nishani deklaroi publikisht, se firma franceze Sagem do të nisë prodhimin e kartave të ID dhe pasaportave biometrike. Çmimi për tu pajisur me këto dokumente për çdo shqiptar do të kushtojë 6100 lekë./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani