Kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmjen e se enjtes ne emision Opinion ne TV Klan se brenda gjysmës se pare të vitit 2010, qeveria do te synoje lëvizjen e lire te shtetasve shqiptare ne vendet me hapësirë Shengen.
Kusht për te arritur këtë qellim politik është pajisja e shtetasve shqiptare me pasaportat e reja biometrike dhe ne rast se nuk do te plotësohet ky kusht, kryeministri paralajmëroi masa drastike për ata shtetas qe anashkalojnë këtë proces.
Sali Berisha: “Qeveria po e ndjek çështjen. Në rast se pajisja me pasaporta biometrike nuk ecën me ritmet e duhura ne do të detyrohemi në emër të interesit të lëvizjes së lirë të qytetarëve të shpallim skadimin e pasaportave ekzistuese…”.
Blendi Fevziu: “Në mënyrë që të futen në fuqi pasaportat biometrike?”
Sali Berisha: “Në mënyrë që qytetarët të shkojnë të marrin pasaportat biometrike, gjë të cilën ne nuk kemi dëshirë ta bëjmë, por në qoftë se kjo nuk ecën pastaj natyrisht lëvizja e lirë është një prioritet i jashtëzakonshëm, por kjo nuk bën, dmth, këto e do kohën e vet, prandaj kemi folur brenda vitit të parë të mandatit tonë. Brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë ne do realizojmë lëvizjen e lirë”.
Nga ana tjetër ekzekutivi i Bashkimit Evropian pritet qe javën e ardhshme te propozoje qe qytetarëve të Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë t’u lejohet udhëtimi pa viza në vendet e BE-së prej fillimit të vitit të ardhshëm.
Komisioneri për drejtësi i BE-së, Zhak Barro, tha se Shqipëria dhe Bosnja do të bëhen pjesë e këtij propozimi në vitin 2010 kur pritet t’i kenë përmbushur kriteret e vendosura.
Kjo ishte hera e parë që Barro emëroi vendet, të cilat do të përfitojnë regjimin e liberalizmit të vizave.
Propozimi do të prezantohet zyrtarisht më 14 Korrik nga komisioneri për zgjerim i BE-së, Olli Rehn./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani