Pas datës 30 maj e deri në fund të muajit qershor, në qendrat e aplikimit të kartave të identitetit prioritet do të kenë vetëm shtetasit që nuk kanë pasaporta shqiptare. Kështu është rënë dakord mes qeverisë dhe kompanisë koncensionare Aleat, gjatë një takimi mes kryeministrit Berisha dhe përfaqësues të kësaj kompanie.

Kompania Aleat do të vë të  gjitha kapacitetet teknike, në pajisjen me letërnjoftime elektronike vetëm për shtetasit që nuk zotërojnë pasaportë.

Gjithashtu, në procesin e shpërndarjes së letërnjoftimeve të prodhuara gjer më tani, prioritet t’i jepet kësaj kategorie shtetasish. Për të siguruar një zbatim efikas të këtij prioriteti, qeveria dhe kompania koncensionare bëjnë thirrje publike për ndërgjegjësim.

Në takimin mes kreut të qeverisë dhe përfaqësuesve të kompanisë, u ra dakord edhe për optimizmin e mëtejshëm kapaciteteve për aplikim dhe shpërndarje të qendrave të aplikimit në funksion të nevojave të procesit.

Me qëllim përshtatjen e procesit të aplikimit me nevojat e qytetarëve e për rrjedhojë rritjen e efikasitetit të këtij procesi, u vendos gjithashtu që orari ditor i punës së qendrave të aplikimit të ndahet në dy periudha, në ndryshim nga orari unik i zbatuar gjer më tani.

Kryeministri Berisha falënderoi bashkëbiseduesit për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe punën e përgjegjshme e të suksesshme të kryer deri më tani nga kompania koncensionare Aleat. Në këtë proces të një rëndësie themelore për modernizimin e e vendit dhe arritjen e standardeve më të larta në proceset integruese./tvklan.al