Ministri i Rendit, Igli Toska, ka komunikuar në Drejtorinë e Vlorës rreth 25 ndryshime në oficerët e kësaj drejtorie, 10 nga të cilët i ka përjashtuar ose pezulluar, ndërsa 15 të tjerë i ka ulur në detyrë ose i ka lëvizur në poste paralele. Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Rendit, janë përjashtuar nga policia: Kryeinspektor Vladimir Kordhishta, me detyrë komandant i Postës Kufitare dhe Rendit, Dhërmi; Inspektori Sejfulla Metko me detyrë komandat poste policie, në Himarë; Inspektor Alfred Cenaj me detyrë inspektor në Zyrën Rajonale Kundër Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë e Policisë Vlorë; Lulëzim Nelaj me detyrë inspektor në Zyrën Rajonale Kundër Trafiqeve të Paligjshme; Nënkomisar Theodhori Gravani me detyrë shef i Zyrës së Personelit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë; Nënkomisar Ilirjan Rrokaj me detyrë shef i Zyrës së Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë së këtij qarku. Ndërsa janë pezulluar nga detyra Inspektor Dritan Lamaj me detyrë shef i nënseksionit të policisë së Rendit në Komisariatin e Policisë; nënkomisar Fatos Mukaj me detyrë shef i Zyrës së Policisë Kufitare; Nënkomisar Kujtim Pepa me detyrë shef i Zyrës Rajonale të Luftës Kundër Krimeve të Drogës dhe Kryeinspektor Embro Zholi me detyrë inspektor në Zyrën Rajonale Kundër Trafiqeve të Paligjshme. Ndërkohe Kryeprokurori i Vlorës, Petrit Çano, ka dhënë sinjalin e parë se edhe kjo dojse do të përfundojë si gjithë të tjerat. Sipas tij, në këtë çështje janë përfshirë jo 13 persona sa deklaroi Ministria e Rendit, por 11. Ndërkohë në kundërshtim më të gjithë angazhimin shtetëror, kjo dosje nuk do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, por nga ajo e Vlorës, e ca më tepër dosja do të ndahet në pjesë.
Petrit Çano:“ Ky procedim është regjistruar si një procedim më vete edhe me hetimin e kësaj çështjeje janë ngarkuar prokurorët ushtarakë që tashmë janë të atashuar brenda prokurorisë së rrethit.”
Po sot pasdite, Gjykata e Faktit në Vlorë, ka dhënë masën e sigurisë “burg pa afat” për dy skafistët dhe Gjergji Robajn zv/komandantin e portit, që është njëkohësisht dhe vëllai i njërit prej pronarëve të skafit. Ndërsa të afërmit e 7 personave, që konsiderohen të zhdukur, presin me ankth ndonjë sinjal për gjetjen e të paktën kufomave të tyre. Ata janë strehuar në hotel “Riviera” falë bujarisë së pronarit të tij, Dritan Çela./tvklan.al