Lajme Arkiva 2003

Ministri i Punëve të Brendshme të Italisë Giuseppe Pisanu ka mbërritur në vendin tonë për disa takime zyrtare. Shefi i Rendit dhe i Policisë Italiane vjen në Shqipëri pas një operacioni të policisë së dy vendeve ku u bë i mundur arrestimi i disa personave shqiptarë dhe italianë, anëtarë të një rrejti me trafikantë fëmijësh.

Operacioni në fjalë u realizua pas një plani bashkëpunimi dhe mjaft sekret pasi anëtarë të kij rrjeti ishin edhe efektivë të policisë dhe SHIK-ut në Shqipëri si dhe avokatë italianë.

Tashmë flitet për operacione kundër trafikut të drogës pasi në vitin 2002 policia italiane ka njoftuar kapjen e të paktën 1500 kilogramëve heroinë të transportuar nga Shqipëria.

Sipas ministrit Rama skema e ndjekur në goditjen e rrjetit të trafikut të fëmijëve do të përdoret edhe në të tjera operacione ku pritet të jap rezultat në luftë kundër trafikut të drogës.

Luan Rama: Natyrshëm u fokusuam dhe do të diskutojmë sërish edhe në vijim për problemin tonë të përbashkët që është trafiku i drogës dhe jam i bindur që falë këtij bashkëpunimi dhe ndihmës të qeverisë Italiane dhe veçanërisht të ministrit të brendshëm do të bëjmë të mundur që edhe trafikun e drogës ta godasim siç kemi goditur trafikun e qenies njerëzore.

Ndërsa Ministri i Brendshëm italian është shprehur se qeveria që ai drejton vlerëson përpjekjet që Shqipëria po bën në luftën kundër trafiqeve. “Siguria e vendit lidhet ngushtë edhe me zhvillimin ekonomik”, është shprehur Pisanu duke vlerësuar bashkëpunimin me policinë dhe ministrinë shqiptare.

Gjatë deklaratës për shtyp ministrat e dy vendeve kanë konfirmuar një bashkëpunim konkret duke shpresuar në të tjera rezultate. Ministri italian i Punëve të Brendshme është pritur në një vizitë edhe nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu.

Siguria ndërmjet dy vendeve dhe bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve në luftë kundër trafiqeve të drogës ka qenë temë e bisedës. Gjatë vizitës së delegacionit italian në Tiranë është bërë edhe dekorimi i Giovani Sartorit shefit të zyrës italiane të ndërlidhjes.

Santori është vlerësuar nga Presidenti i Republikës me medaljen e mirënjohjes për punën e tij gjatë dy viteve në Shqipëri. Në fund të vizitës në Tiranë ministri italian është pritur edhe nga kryeministri shqiptar Fatos Nano, i cili ka vlerësuar bashkëpunimin në fushën e rendit dhe përpjekjet e përbashkëta në luftë kundër trafiqeve ndërmjet brigjeve të Adriatikut.

Kryeministri është shprehur se qeveria shqiptare tashmë po i organizon një sistem më të mirë të identifikimit dhe të goditjes së trafikut të drogës. Ne duam të menaxhojmë suksesin e arritur në luftë kundër trafikut të klandestinëve, ka thënë kryeministri Nano. Ndërsa Pisanu është shprehur se tashmë ka shkëmbim maksimal të të dhënave mes dy vendeve në lidhje me trafikun. Gjë që çon në rezultate pozitive./tvklan.al