Shqipëria duhet të vazhdojë me procesin e aplikimit për statusin kandidat në BE dhe të mos presë më tutje. Ky është apeli i presidencës çeke të BE-së, të bërë publik gjatë konferencës së sigurisë të mbajtur në Mynih të Gjermanisë, ku mori pjesë dhe ministri i punëve të jashtme Lulzim Basha.

Gjatë takimit me homologun çek Karel Schwarzenberg, Basha mori garancinë se procesi i liberalizimit të vizave do të përfundojë në vitin 2009. Ndërsa ai i integrimit të Ballkanit do të përfundojë në tërësi brenda vitit 2014.

Lulzim Basha: “Për herë të parë publikisht kemi patur një datë të mundshme të përmbylljes së procesit të integrimit Europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe pikërisht 100 vjet pas fillimit të konflikteve dhe luftërave botërore në Sarajevë në 1914, i takon që në 2014 ky proces të përfundojë aty ku nisi, në Sarajevë me integrimin e plotë të gjithë vendeve të Ballkani Perëndimor. Jam shumë optimist se siç e kam përsëritur shpesh herë 2009 do të jetë një vit vendimtar për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptar.”

Në konferencën e Mynihut kryediplomati shqiptar pati një sërë takimesh me zyrtar të lartë si ministri britanik i punëve të jashtme David Miliband, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë Havier Solana dhe zëvendës kryeministrin e federatës ruse Sergei Ivanov.

Basha pati rastin të takojë dhe të përshëndetet me zëvendës presidentin e SHBA Joe Biden, i cili përsëriti miqësinë që ai ka me popullin shqiptar dhe se do të vizitojë Shqipërinë në një moment të përshtatshëm.

Lulzim Basha: “Pata rastin ta takoj dhe të përshëndetem dhe më zëvendës presidentin Joe Biden, i cili solli në vëmendje dhe takimin e para disa ditshëm me kryeministrin Berisha dhe shprehu dhe njëherë ndjenjat më të ngrohta miqësore ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve duke përsëritur atë që i ka konfirmuar me siguri edhe kryeministrit Berisha, dëshirën për të vizituar vendin tonë në një moment sa më të përshtatshëm.”

Përsa i përket ratifikimit të protokollit për anëtarësim në NATO, Basha mori zotimin se parlamenti slloven do ta shqyrtojë atë në një seancë plenare të hënën. Ndërsa Holanda pritet të mbyll këtë proces shumë shpejt./tvklan.al