Belgjika u bë një ditë më parë vendi i 19-të që ratifikoi protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO me votimin në Dhomën e Përfaqësuesve, të cilin Ministria e Jashtme në Tiranë e vlerësoi si një shprehje të mbështetjes për procesin e integrimit euroatlantik të Shqipërisë.

Vetë ministri Basha ka deklaruar që nga Davosi i Zvicrës ku merr pjesë në punimet e forumit ekonomik botëror se procesi i ratifikimit po ecën me ritme të larta dhe do të përfundojë shumë shpejt.

Në këtë kontekst ministri Basha tha se vendimi i vendeve aleate tregon në mënyrë të veçantë mbështetjen për reformat e ndërmarra nga Shqipëria.

Lulzim Basha: “Dy ditët e fundit dhe dita e sotme në veçanti na kanë vërtetuar optimizmin e shprehur deri tani nga Shqipëria, nga Kroacia, nga sekretari i përgjithshëm se jemi në kohë për të përmbushur procesin, për të përmbyllur procesin brenda afateve në mënyrë që në Strasburg të ulemi si anëtarë të plotë. Sigurisht ashtu siç u vu re dhe në takimet këtu në Davos me përfaqësuesit e këtyre vendeve që ecën përpara me procedurat dhe të vendeve të tjera. Ratifikimi nuk është një proces formal, por është mbi të gjitha një aprovim politik i organeve më të larta ligjvënëse të këtyre vendeve për kursin e reformave të ndërmarra nga Shqipëria dhe Kroacia dhe një shenjë e besimit se dy vendet tona përfaqësojnë vlerë të shtuar për aleancën në rrafshin jo vetëm të stabilitetit, por dhe në rrafshin e reformave politike, ekonomike dhe shoqërore.”

Që pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO më 3 Prill të vitit të shkuar Shqipëria ka marrë në mënyrë të vazhdueshme mbështetje nga vendet anëtare të aleancës për t’u bërë dhe ajo anëtare me të drejta të plota në samitin e Strasburg, Kolnit.

Të enjten protokolli u ratifikua edhe nga asambleja kombëtare e republikës së Francës çka i hap rrugën ratifikimit nga ana e senatit francez në datën 4 Shkurt./tvklan.al