Shqipëria mori presidencën dhe do të kryesojë për vitin në vazhdim iniciativën rajonale për migrim, azilin dhe refugjatët.

Gjatë forumit rajonal të MARR-it që u zhvillua në Budva në Mal të Zi, Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, vlerësoi arritje të shënuara nga të gjitha vendet e rajonit gjatë presidencës së mëparshme malazeze.

Lulzim Basha: “Kjo iniciativë ka provuar të jetë jashtëzakonisht e suksesshme në bashkërendimin dhe harmonizimin e politikave të azilit të emigracionit dhe trajtimit të refugjatëve nga vendet e rajonit tonë. Si e tillë ka shërbyer për të avancuar vendet tona në rrugën e arritjes së kritereve për liberalizimin e vizave.”

Duke iu referuar faktit se të gjitha vendet e rajonit kanë konkretizuar standarde të larta në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve dhe në lëshimin e dokumenteve të sigurta të identitetit, ministri Basha deklaroi se fokusi i përpjekjeve të presidencës shqiptare të MARR-it do të jetë lëvizja e lirë e qytetarëve në të gjithë vendet e rajonit dhe për këtë qëllim do të hartohet një plan pune që do t’i paraqitet komitetit të MARR-it me qendër në Shkup.

Lulzim Basha: “Objektivi kryesor i presidencës shqiptare që fillon sot dhe mbaron pas një viti, do të jetë avancimi në rrugën e arritjes së asaj që quhet Shengen ballkanik, pra lëvizjes së lirë të qytetarëve të rajonit tonë, vetëm duke disponuar një dokument identifikimi në të gjitha vendet e rajonit.”

Në forumin rajonal të zhvilluar në Budva, ministrat e brendshëm nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, në të cilën shprehet gatishmëria për ofrimin e shërbimit konsullor në postet konsullore të secilit prej vendeve të rajonit, qytetarëve të vendeve të tjera në mungesë të posteve konsullore apo diplomatike në vendet përkatëse./tvklan.al