Ministri i Jashtëm Lulzim Basha ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme gjatë sesionit të 118 të komitetit të ministrave të Këshillit të Evropës. Basha ka vlerësuar gjatë ministerialit rolin që ka luajtur vendi ynë në drejtim të paqes dhe stabilitetit në rajon. Më tej ai përshëndeti dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociim Stabilizimit mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian dhe vlerësoi ndihmën e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që po japin në ndërtimin e demokracisë për shtetin më të ri në botë, Kosovën.
Kreu i diplomacisë shqiptare, zhvilloi takim me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës Terry Davis dhe ministrin e Jashtëm suedez Carl Bildt. Sekretari i Këshillit të Evropës shprehu gatishmërinë për të dhënë ndihmën e organizatës në fusha prioritare të vendit tonë, si dhe për reformën zgjedhore. Në të dyja këto takime u dha mbështetje edhe për përfshirjen e Kosovës në organizma ndërkombëtare dhe vazhdimin e ndihmës me programe të posaçme për ndërtimin e plotë të këtij shteti./tvklan.al
Gazetar: Edian Gjoni