Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, paralajmëroi një proces analize të çdo institucioni me qëllim zbatimin e të gjitha detyrimeve të cituara në progres raportin për Shqipërinë për vitin 2009.

Ilir Meta: “Progres-raporti skanon ecurinë e reformave në Shqipëri duke bërë një vlerësim realist dhe objektiv. Raporti në thelb përcakton ecurinë e marrëdhënies së Shqipërisë me BE-n e cila sikurse u theksua edhe nga komisioneri Olli Rehn dje në Bruksel, edhe nga kreu i delegacionit të KE-së në Tiranë ambasadori Lohan, është një marrëdhënie inkurajuese. Një nga pikat e rëndësishme që vlerësohet pozitivisht në këtë progres raport, ka të bëjë pikërisht me zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, të cilat u certifikuan nga OSBE-ODIHR-i si të suksesshme duke arritur shumicën e standardeve ndërkombëtare. E njëjta garanci jepet edhe për liberalizimin e vizave për të gjitha vendet e rajonit ku sikurse u vlerësua nga komisioneri Olli Rehn, komisioni do të bëj propozimin për heqjen e vizave me Shqipërinë brenda mesit të vitit 2010. Dhe kam kënaqësinë që t’ju them se përmbushja e detyrimeve të Shqipërisë përsa i takon udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, po ecën me një ritëm shumë të mbarë”.

Progres-raporti nënvizon se mungesa e debatit politik po pengon kryerjen e reformave të rëndësishme për integrimin evropian të vendit.

Kryediplomati tha se këtë drejtim mazhoranca ka bërë të gjitha përpjekjet për të rifutur dialogun në rruge institucionale.

Meta kujtoi thirrjet e vazhdueshme në adresë të opozitës për të futur në kuvend apo ofertën e kryeministrit Berisha për një komision hetimor parlamentar ku shumicën e anëtarëve ta ketë opozita.

Ilir Meta: “Në qoftë se opozita e kthen në një qëllim në vetvete bojkotin me strategjinë për të paralizuar institucionet do të bëj një gabim shumë të madh për veten e saj në radhë të parë dhe do marri përgjegjësi të veçantë edhe lidhur me këtë proces integrues nuk mundet kurrsesi agjenda e cilit do të bllokoj aspiratat e një populli të tërë”.

Meta foli dhe mbi aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Kreu i diplomacisë tha se shqyrtimi i kërkesës është thjesht një çështje procedurale ndaj dhe për qeverinë shqiptare ka më shumë rendësi përmbushja e detyrimeve që garantojnë statusin e vendit kandidat. /tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi