Ministri i Brendshëm Bujar Nishani konfirmon, se biznesmeni Kosta Trebicka ka humbur jetën në Korçë, në një aksident me makinën e tij përgjatë rrugës që lidh zonën malore të Voskopojës me Lekasin. Konfirmimi është bërë nga vetë ministri Nishani në një konferencë të posaçme për shtyp, disa orë pas ngjarjes.

Bujar Nishani: “Në vendin e quajtur Urat e Gjergjevicës është parë një makinë e batuar nga rruga dhe një shtetas i vdekur. Menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur dhe kanë mbërritur drejtues dhe specialistë të policisë së qarkut Korçë, të cilët kanë identifikuar dokumentet e automjetit, ku kanë konstatuara se ky automjet i përket shtetasit Kosta Trebicka.”

Makina e tipit Nisan e Kostës, me targa të Tiranës 8843J, kjo që po shihni në këtë pamje ekskluzive ka dal nga rruga dhe është rrokullisur disa herë. Biznesmeni është gjetur pak minuta pas ngasjes rreth orës 14:00 nga disa banorë të zonës ende në jetë ndërsa makina e tij ende e ndezur. Grupi i xhirimit të televizionit Klan në Korçë ka mbërritur në vendngjarje afro 1 orë pas marrjes së lajmit, për gjetjen e një trupi pa jetë.

Gazetarja: “Po jam informuar në lidhje më këtë aksident rreth orës 13:45, nga disa banorë të zonës së Voskopojës të cilët më kanë informuar, se në rrugën e Lekasit që lidh Voskopojën me fshatin e thellë malorë të Korçës që është Lekasi, është gjetur një burrë i vrarë. Burri mendohet të ishte rreth të 40-tave dhe mësova gjithashtu që ai ishte duke udhëtuar me një makinë. Ndërkohë që në momentin që ka mbërritur grupi ynë i xhirimit makina ishte ende e ndezur.”

Sonila Meço: “Ishte ende e ndezur?”

Gazetarja: “Ishte ende e ndezur dhe nuk dukej se ishte shumë e dëmtuar përveç disa goditjeve që kishte pësuar në xhamin e përparme të makinës dhe dukej të ishin nga rrokullisjet. Viktima që ishte gjendur në mes të rrugës deri para pak momentesh se të mbërrinim në vendngjarje merrte ende frymë.”

Policia fillimisht ka konfirmuar se bëhet fjalë për një aksident, por duke thënë se duhet ende kohë për një përgjigje përfundimtare mbi rrethanat e ngjarjes. Ministri Nishani sqaroi se një grup hetimor në krye të cilit është vënë prokurori Sokol Stojani, po punonim për zbardhjen e tyre.

Bujar Nishani: “Drejtoria e përgjithshme e Policisë së Shtetit ka kontaktuar me prokuroren e përgjithshme dhe në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur grupe ekspertësh, kriminalist, mjekoligjor dhe autoteknik, si dhe një prokuror nga prokuroria e përgjithshme për të koordinuar dhe për të kontrolluar veprimet hetimore. Në vendin e ngjarjes janë kryer filmimet dhe fotografimet përkatëse, ka filluar këqyrja e vendit të ngjarjes, e mjetit, e kufomës dhe të gjithë sendet dhe prova materiale të gjetura në vendngjarje. Nga tërësia e veprimeve të para u bë identifikimi i kufomës që i përket shtetasit Kosta Trebicka.”

Sipas versionit të Policisë së Korçës, mjeti tip kabriolet me të cilin viktima gjendej i vetëm ka dalë nga rruga pas një frenimi të fortë.

Gazetarja: “Grupi i policisë ka vërejtur që makina ka frenuar në momentin që para se të rrokulliset makina ka frenuar dhe në pjesën e rrugës janë vërejtur dhe gjurmë të gomave, çfarë të bën të kuptosh që makina ka humbur kontrollin pasi janë gjurmë të forta gome. Që do të thotë që makina mundtë ketë tentuar të frenojë, por nuk ka mundur.”

Trupi i pajetë i makinës ka mbetur në mes të rrugës për disa orë me radhë, ndërsa automjeti është gjendur 20m larg tij. Trebicka mbante veshje gjuetie dhe pranë tij është gjetur një armë gjahu që ai e mbante me leje. Ai ishte dëmtuar në fytyrë dhe në pjesën e pasme të kokës si pasojë e përplasjes së makinës gjatë rrokullisjes.

Dëmtimet në fytyrë e kanë vështirësuar procesin e identifikimit, por mbërritja e familjarëve të biznesmenit në vendin e ngjarjes ka shuar çdo dyshim, trupi i tij është dërguar në morgun e Korçës rreh orës 19 e 30 dhe do t’i nënshtrohet autopsisë, e cila pritet të sqarojë rrethanat e ngjarjes.

Bujar Nishani: “Me marrjen e njoftimit në këtë çështje, është njoftuar kryeministri i vendit, i cili ka kërkuar angazhimin e të gjithë ekspertëve më të spikatur të të gjitha fushave për hetimin e shpejtë, të plotë dhe të gjithanshëm të kësaj çështje./tvklan.al

Gazetare: Anila Llabani