Pensione të posaçme për artistët që për dekada të tëra kanë kontribuar në jetën artistike të vendit tonë. Në mjediset e ministrisë së Kulturës 8 personaliteteve, Agim Krajka, Eno Koço, Ardiatik Kallulli, Bujar Kapexhiu, Vitore Sallaku, Ilia Terpini, Namik Prizreni dhe Bardhyl Salillari iu dorëzuan certifikata nga ministri i kulturës Ylli Pango. Në fjalën e tij Pango theksoi se:

Ylli Pango: “Ka pasur një kohë shumë të gjatë që paraardhësit tanë në qeverisje kanë qenë, kanë lënë një vakum. Një vakum në vlerësim, një vakum në shpërblim, një vakum në nivelimin e këtyre figurave të cilët kanë kontribuar jashtëzakonisht për Shqipërinë, për njerëzit, për imazhin e vendit tonë”.

Artistët shqiptarë nuk janë aspak të pasur e megjithatë speciale për ta këtë ditë e bën vlerësimi moral që ju bëhet. Një pjesë e tyre madje vijojnë me gjithë moshën e tyre të thyer të jenë prezent në skenat tona.

Agim Krajka: “Më ka ndihmuar jashtëzakonisht ky marrja e këtij pensioni të madh. Për një arsye, se unë u ktheva nga Amerika pa asnjë dollarë borxh dhe kjo është merita ime po nuk u ktheva dhe me dollarë dhe këto më duheshin mjetet e jetesës, gjë për të cilën u kujtuan shumë shpejt kupton dhe po më rrisin pensionin, sepse mundësitë e jetesës, se unë nuk u punësova diku”.

Vitore Sallaku: “Kjo është një vlerësim që bëhet dhe vlerësimi ka vlera të jashtëzakonshme shpirtërore më tepër se sa kur e merr dmth nga ana buxhetore. Ato për momentin nuk janë aq të vlefshëm se sa shpirti që gjen qetësinë”.

Bujar Kapexhiu: “Është stimul moral, sepse të vlerësojnë, të vlerësojnë për një punë të madhe që ke bërë gjatë gjithë jetës artistike. Pa dyshim që ke marrë duartrokitje, ke marrë ovacione, ke marrë përshëndetje. Por në një moment të caktuar kur merr dhe mirënjohjen e qeverisë pa dyshim që është një vlerë”.

Sipas ministrisë kjo është një nisëm që ka nisur vetëm sot, por që do të ketë vazhdimësi./tvklan.al