Buxheti i vitit 2010 është cilësuar nga Ministri i Ekonomisë, si më i miri i realizuar ndonjëherë nga qeveritë shqiptare.
Gjatë një konference për shtyp, ministri Prifti sqaroi se në këtë buxhet parashikohen 360 miliardë lekë të ardhura dhe afro 410 miliardë lekë shpenzime, në të cilat bëjnë pjese edhe financimet e huaja.
Sipas zotit Prifti këto janë arsyet që sipas tij e bëjnë që Shqipëria, ndryshe nga vendet e rajonit, të zhvillohet më shpejt dhe të ketë një inflacion në masën 2 deri 3%.
Dritan Prifti: “Është buxheti më i mirë në të gjithë historinë e qeverive shqiptare. Pavarësisht se i gjithë rajoni dhe i gjithë bota është në një situatë akoma në një krize globale financiare, në Shqipëri në krahasim me një vit më parë të ardhurat e buxhetit të shtetit rriten me 12% një gjë që nuk ndodh me asnjë nga vendet rreth nesh, po të krahasohemi me vitin 2005, shpenzimet buxhetore kanë qenë vetëm 27% të GTP. Në buxhetin e 12 janë 32%”.
Për kreun e dikasterit të ekonomisë një zë i veçantë do t’i kushtohet në buxhetin e vitit 2010 dhe rritjes së pagave dhe pensioneve, me qëllim diferencimin e atyre të fshatit me ato të qytetit.
Dritan Prifti: “Parashikohet një rritje deri në 10% e rrogave dhe e pensioneve duke filluar nga data 1 korrik e vitit që vjen. Shikojeni dhe njëherë vendet fqinj i kanë ulur gjatë këtij viti rrogat dhe pensionet nga 10 deri në 15%. Rritja do të jetë më e diferencuar për ato që janë më të vogla, për rrogat më të vogla dhe për pensionet më të vogla”.
Gjatë vlerësimit të buxhetit, ministri Prifti u ndal në mënyrë të veçantë dhe tek zërat e që zë dikasteri i tij e me konkretisht fondi që qeveria ka parashikuar në rast të ngritjes së çmimit të energjisë .
Dritan Prifti: “Do të jetë në buxhet një fond prej 2 miliard lekësh si kontigjencë nëse anti-rregullator vendos që të ketë rritje të çmimit të energjisë për vitin që vjen. Në vitin që vjen nuk do të ketë më naftë të tipit d2 për asnjë mjet dhe automjet në Shqipëri”.
Zgjerimi i skemës ekonomike për të nxjerre nga varfëria 1.4% të familjeve shqiptare që janë në nevojë, si dhe dyfishimi i fondit për investimet në sistemin e kullimit dhe atë të ujitjes janë disa nga zërat që për kreun e dikasterit të ekonomisë e bëjnë këtë buxhet më të mirin e hartuar ndonjëherë në vend.
Dritan Prifti: “Detyrimet kryesore që ka kompania Armo janë ndaj Albpetrolit. Ndaj Albpetrolit ka disa detyrime të vjetra, të prapambetura por dhe disa detyrime korente. Armo dhe Albpetroli pra dhe drejtori i ri i Albpetrolit kanë marrë kontakt gjatë javës së kaluar dhe kanë firmosur ose kanë vendosur me njëri-tjetrin një skedul për pagesat e detyrimeve të vjetra. Mesa di brenda këtij viti Armo ka marrë angazhimin ti paguaj Albpetrolit rreth 11 milion euro nga detyrimet e prapambetura dhe brenda 6 mujorit të vitit që vjen të paguaj gjithë detyrimet e prapambetura”./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro