Qeveria e Serbisë ka vënë edhe një hallkë në zinxhirin e institucioneve paralele në territorin e Kosovës. Vetë ministri për Kosovën në qeverinë e Beogradit, Goran Bogdanovic, ka inauguruar sot në Gracanisë qendrën koordinuese për Kosovën.
Sipas tij qëllimi hapjes se kësaj qendre është nevoja që Serbia të shtrijë institucionet e saj në tërë Kosovën. Por edhe për të përçuar mesazhe të komunitetet jo shqiptare se Beogradi vazhdon të përkujdeset për ta.
Goran Bogdanovic: “Qeveria e Serbisë edhe më tej kujdeset për ruajtjen e Kosovës në përbërjen e saj. Edhe ardhja ime sot në Gracanisë është porosi e qartë se Serbia asnjëherë nuk do të pranojë Kosovën e pavarur. Asnjëherë nuk do të heqë dorë nga toka e shenjtë, ky është qëllimi ynë, ky është interesi ynë.”
Ndërkaq kryetari i qendrës koordinuese për Kosovën Zvonimir Stevic ka thënë se kjo zyrë ka për detyrë që ti ruaj institucionet, ti forcojë ato dhe që ti mundësojë Serbisë ruajtjen e Kosovës në përbërjen e saj. Stevic sërish ka përçuar mesazhin e Beogradit se EULEX është ilegal në Kosovë.
Zvonimir Stevic: “Është qëndrim i qartë i qeverisë dhe diplomacisë tonë që ardhja e EULEX pa vendim të këshillit të sigurimit të OKB-së është i pa pranueshëm për ne.”
Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi nuk ka dashur të komentojë rreth asaj me lejen e kujt hynë zyrtarët e lartë serb në Kosovë.
Hashim Thaçi: “Ne jemi të interesuar si qeverie e republikës së Kosovës dhe si institucione të ndërtojmë raportet e fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit. Presim dhe që Maqedonia dhe Mali i Zi të mos vonohen me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në kuadër të kësaj edhe të çështjeve teknike të diskutimit me autoritetet e Beogradit si dy shtete të veçanta. Tani kemi rikonfigurimin aktiv ku kemi edhe prezencën e zotit Zanier, dhe natyrisht në kudër të kësaj është edhe kjo vizitë.”
Që nga pas lufta një sërë institucionesh shtetërore të Serbisë funksionojnë në Kosovë. Pas shpalljes së pavarësisë Beogradi vetëm sa ka forcuar institucionet paralele në shtetin e ri./tvklan.al