Mësuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë vendin do të planifikojnë një orë mësimore shtesë, çdo ditë të punës së tyre. Kjo orë do të shërbejë për të kryer konsulta me nxënësit që kanë nevojë, në këtë mënyrë mësuesit nuk do ta përfundojnë punën e tyre në përfundim të orëve të programuara, por pasi të kenë kryer edhe konsultën.
Myqerem Tafaj: “Mësuesit në Shqipëri mesatarisht bëjnë katër maksimal, pesë orë mësim në ditë. Një orë më shumë do të qëndrojnë në shkollë për veprimtarinë në shërbim të nxënësve, ku bëjnë pjesë dhe konsultimet”.
Nga ky rregull i ri që pritet të mbërrijë brenda javës në zyrat e drejtorëve të shkollave, nuk përjashtohen as mësuesit e fizkulturës, të cilët duhet të përfshijnë nxënësit në aktivitete sportive.
Myqerem Tafaj: “Megjithëse ka akoma shkolla me dy turne, ekzistojnë mundësi të plota që të gjendet hapësirë për të bërë konsultime një orë ose veprimtari kulturore, sportive”.
Orët e konsultave të detyruara, të vendosura nga Ministria e Arsimit, mirëpriten veçanërisht nga nxënësit e arsimit të mesëm.
Nxënësi: “Mirë është që të bëhen këto kurse, sepse në këtë mënyrë nxënësit do i shtjellojnë më shumë njohuritë e tyre. Pastaj kemi, duke na i dhënë vetë mësuesi që jep lëndën, atëherë do e kuptojmë më mirë nga vetë mësuesi, sesa nga një mësues tjetër, që do bëhet kurs privat jashtë shkolle.
Nxënësi: “Po normale, nëse na jepet mundësia do i frekuentojmë. Unë për vete do ta bëja.”
Rregulli i ri që detyron mësuesit të japin orë shtesë për nxënësit që kanë nevojë, nuk do të thotë aspak që mësuesit do të punojnë 8 orë, por thjesht ata do t’i shtojnë programit ditor të tyre edhe një orë që quhet konsultë pa pagesë./tvkaln.al
Gazetare: Brunilda Cami