Një komision i posaçëm i ngritur nga ministria e Arsimit do të rishikoj edhe një herë tekstin e “Historisë 12”. Pas reagimeve për një sërë pasaktësish të fakteve historike që përmban ky libër dhe deklaratës së kryeministrit Berisha, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka deklaruar se “Historia 12” do të tërhiqet nga qarkullimi për tu korrigjuar.
Myqerem Tafaj: “Do korrigjohen të gjithë tekstet që kanë gabime. Që këtë vit ne kemi ngritur, ftuar një grup specialistësh të cilët do të shohin tekstet dhe do të bëjnë korrigjimet e duhura.”
Ky tekst “Historie” është përzgjedhur nga disa shkolla për tu studiuar gjatë vitit akademik 2009-2010. Në të njëjtën kohë falë altertekstit në qarkullim është edhe një botim tjetër i “Historisë 12”, që është përzgjedhur nga disa gjimnaze.
Ky mund të jetë teksti alternativ që do të zëvendësojë historinë e shumëpërfolur për fakte të gabuara historike./tvklan.al