Një ditë pas urdhrit të Ministrit të Arsimit Myqerem Tafaj, që Universiteti i Vlorës të regjistrojë të gjithë kandidatët fitues sipas listës, asnjë regjistrim i fituesve me mesatare nën 6 nuk është bërë në sekretariatin e Universitetit të Vlorës.
Me qindra studentë që presin për të marrë një përgjigje rreth mundësisë së regjistrimit të tyre, për të vijuar studimet në degët ku kanë fituar në bazë të renditjes, e kanë përshkallëzuar protestën e tyre. Pas dasi orësh pritje, ata kanë hyrë forcërisht në ambientet e Universitetit.
Situata është qetësuar nga policia, e cila ka ndërhyrë për nxjerrjen e tyre jashtë ambienteve të universitetit.
Studentët kërkojnë të fitojnë të drejtën për të vazhduar studimet e larta në një nga degët që kanë fituar, në bazë të listave të ministrisë së arsimit, ndërsa ankohen për mospërfilljen e vazhdueshme nga ana e rektoratit dhe sekretariatit të Universitetit të Vlorës.
Studentja 1: “Ne nuk na takojnë fare, as vetë rektori nuk na takon.”
Studentja 2: “Jo akoma nuk jam regjistruar, për shkak se duan mesataren. Ndihem shumë keq pasi është diçka që as nuk arrij ta besoj, me duket sikur çdo gjë është shuar për mua.”
Student: “E kam mesataren 5.98, për 0.02 pikë nuk më regjistrojnë. Kur unë në anglisht jam shumë i fortë, në provim e mora 9.7. Diplomën në Greqi e kam bërë 4 vjet kurs dhe e kam marr dhe shpenzimet tani të shkojnë dëm është turp.”
Nga 1700 student që janë shpallur fitues në këtë universitet, 25% e tyre, e kanë mesataren nën 6 dhe si rrjedhim nuk po pranohen ende për regjistrim, pavarësisht urdhrit të ministrit të arsimit./tvklan.al