Kryeministri Sali Berisha i ka bërë apel stafeve drejtuese të universiteteve të mirëmenaxhojnë investimet e qeverisë. Në një aktivitet të mbajtur mbi arsimin e lartë, kreu i ekzekutivit tha jo për herë të parë, se do të ketë tolerancë zero ndaj veprimeve korruptive.

Sali Berisha: “Tre vjet më parë me vullnetin më të mirë katërfishuam investimet për universitetet. Sa u realizuan? Zero. Zhvillimi i kapaciteteve menaxheriale në një kohë kur po punojmë për një sistem të ri financimi, është vendimtar për ju. Nuk është se do jeni ndonjëherë të pasur si universitete, por rëndësinë e tij e ka që ato fonde mund t’i përdorni në mënyrën më racionale, më eficente. Një problem jetik, fundamental për shoqërinë tonë dhe të ardhmen e saj, luftën kundër korrupsionit. Ne shqiptarët duhet të jemi të bindur se, nuk do të prekim kurrë të ardhmen, që meritojmë pa luftën eficente kundër korrupsionit”.

Duke u ndalur në objektivat e arsimit të lartë, numri një i qeverisë tha, se heqja e TVSH-së për arsimin privat, si dhe hyrja e sistemit universitar në përzgjedhjen e cilësisë, janë një hap i rëndësishëm në zhvillimin e praktikave europiane. Berisha kërkoi dhe shtimin e numrit të pedagogëve në universitete, për të përmbysur sikundër tha, raportin 1 pedagog për 50 studentë.

Sali Berisha: “Nuk mund të pranohet në mënyrë absolute standardi një pedagog me 50 studentë. Është iluzore cilësia. Unë ju bëj thirrje ju, të rekrutoni më të mirët dhe me besim të madh, t’i rekrutoni me kontrata dhe në rast se nuk përmbushin kushtet, me skadimin e kontratës, i lëshohet vendi një tjetri, por nuk mund të pranojmë këtë situatë”.

Kryeministri Sali Berisha siguroi pedagogët dhe stafet akademik që qeveria do të bëjë përpjekjet maksimale, në mënyrë që dijet e marra në katedra, të gjejnë materializimin në tregun e punës./tvklan.al