Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Librat e arsimit 8-vjeçar tashmë nuk do të blihen më me para nga prindërit. Sipas një vendimi të miratuar nga qeveria, tekstet e arsimit të detyruar nga klasa e parë deri në të tetën, nuk do t’u shiten nxënësve. Ndërkohë që në çdo fund të vitit shkollorë, ato do të mblidhen, për t’u ruajtur në bibliotekat e shkollave.

Sipas Ministrit të Arsimit Luan Memushi, ky vendim është marrë jo vetëm për t’ju ardhur në ndihmë fëmijëve në nevojë, por edhe për të ulur subvencionin, që shpenzohej për këtë artikull. Libra të cilët do t’u mblidhen nxënësve në fund të çdo viti mësimor, do të përdoren nga njëri brez tek tjetri për një periudhë trevjeçare.

Luan Memushi:- “Do të përdoren tre vjet, ato tekste që s’kanë nevojë të zëvendësohen me tekste të hartuara mbi bazën e një programi të ri. Kurse ato që do të zëvendësohen nga tekste të reja, mund të përdoren edhe një vit si çdo të jetë rasti për tekstet e klasës së parë të fillores dhe të klasës së gjashtë, sepse pas një viti ne do të hartojmë tekste të reja për klasën e parë dhe të gjashtë dhe kështu që ato tekste do të shtypen dhe do të përdoren tre vjet pastaj. Ne do të japim gjithë tekstet falas, por jo fletoret e punës”.

Ministri i Arsimit sqaroi gjatë një konference për shtyp, se jashtë vendimit të qeverisë, kanë mbetur tekstet e shkollave të mesme dhe të larta, të cilët ende do të vazhdojnë të shiten tek nxënësit dhe studentët. Përsa i përket reformës arsimore, ministri Memushi tha, se ajo ka nisur, ndërkohë që arsimi i detyruar do të zgjatet nga 8-9 klasë./tvklan.al